Thaçi deklarohet i pafajshëm për akuzat për pengim të drejtësisë

17:38 | 08 January 2025
thaci-deklarohet-i-pafajshem-per-akuzat-per-pengim-te-drejtesise

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është deklaruar i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës së dytë kundër tij, për pengim të drejtësisë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, njoftoi të martën gjykata.

Gjykata Speciale tha se Thaçi u deklarua rreth fajësisë së tij në formë të shkruar më 6 janar, pasi nuk kishte pranuar të deklarohej para gjykatëses së procedurës paraprake në dhjetor.

“Ai u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës”, thuhet në njoftim.

Aktakuza e re kundër Thaçit dhe katër personave të tjerë, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliut – u konfirmua më 29 nëntor, ndërsa u bë publike më 7 dhjetor.

“Së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit, z. Thaçi u dha zotit Smakaj, zotit Kilaj, zotit Fazliu dhe zotit Kuçi informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarë të ZPS-së, udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë”, thuhet në aktakuzë, raporton REL.

Prokurori Joshua Hafetz ka thënë se prokuroria synon t’i thërrasë të paktën tre dëshmitarë për të dëshmuar kundër Thaçit dhe katër të dyshuarve të tjerë në gjyqin për pengim të drejtësisë.

Derisa Thaci Kuçi, Kilaj dhe Fazliu janë deklaruar të pafajshëm, Smakaj nuk është deklaruar ende.

Gjykata Speciale është institucion që funksionon sipas ligjeve të Kosovës, por selinë e ka në Hagë të Holandës.

Thaçi e ka përsëritur, të paktën dy herë në javët e fundit, domosdoshmërinë e respektimit të Kushtetutës dhe të ligjeve të Kosovës nga Specialja, teksa ka përmendur se dy aktakuzat kundër tij janë ngritur vetëm pak muaj para mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë.

Dhomat e Specializuara të Kosovës deri më tani kanë shpallur dy aktgjykime për pengim në administrim të drejtësisë.

Dy ish-figura të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, janë dënuar për pengimin e drejtësisë deri tani.

Ndërkohë, ato ka shqiptuar edhe dy aktgjykime për krime lufte.

Ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa, është dënuar me 22 vjet burgim për krime lufte, ndërsa ish-pjesëtari i UÇK-së, Pjetër Shala është dënuar me 18 vjet burgim për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Komento: