Thaçi kundër Thaçit.
Presidentit Hashim Thaçi i janë dashur gjashtë vjet kohë të dalë kundër Asociacionit të Komunave Serbe që e kishte nënshkruar në Bruksel, ndërsa rreth gjashtë muaj që të dalë pro taksës ndaj mallrave serbe, të cilën fillimisht e kundërshtonte, shkruan gazeta “Zëri”.
Ndonëse në prill të vitit 2013 e kishte nënshkruar marrëveshjen, në të cilën parashihej themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (AKS), presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tashmë po zotohet se një gjë e tillë nuk do të ndodhë, se nuk do të ketë formim të Asociacionit. Derisa për të ndërruar qëndrim rreth AKS-së i janë dashur gjashtë vjet, për ta kundërshtuar veten sa i përket taksës ndaj produkteve serbe kreut të shtetit i kanë mjaftuar vetëm pak muaj.
Gjersa në fillim të këtij viti Thaçi kërkonte pezullimin e tarifës së vendosur ndaj produkteve që vijnë nga Serbia dhe nga Bosnjë e Hercegovina, së fundmi ai ka nisur të deklarojë se masa prej 100 për qind nuk do të largohet, por do të vazhdojë të mbetet në fuqi.
Pos që po kritikohet për jokonsistencë në qëndrime, ish-kryeministri i Kosovës nuk po gjen mbështetje as rreth idesë për korrigjim të kufirit me Serbinë. Pavarësisht kësaj para pak ditësh Thaçi hodhi në publik edhe një tjetër ide që nuk lë pa prekur kufijtë në rast jetësimi, opsionin e bashkimit të Republikës së Kosovës me atë të Shqipërisë.