Presidenti Thaҫi ka folur para nisjes për në Bratisllavë.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi do të niset sot për në Sllovaki, ku do të marrë pjesë në forumin e Bratisllavës.
Para nisjes, Thaçi ka mbajtur një konferencë për media, në të cilën ka ritheksuar rëndësinë që sipas tij ka arritja e marrëveshjes finale me Serbinë.
“Një marrëveshje finale që do të përfundonte me njohje reciproke, dhe njohjen nga pesë vendet e BE-së, por edhe anëtarësimi i Kosovës në OKB. Kjo për Kosovën do të nënkuptonte më shumë përspektivë si dhe zhvillim ekonomik. Në këtë Samit do të theksoj domosdoshmërinë e liberalizimit të vizave për Kosovën, sepse Kosova ka implementuar të gjitha kriteret dhe standardet tash e tri vite. Duhet të merr fund ky izolim dhe diskriminim për qytetarët tanë”, ka thënë ai.
Thaçi po ashtu ka konfirmuar se në këtë Forum nuk është e planifikuar që të ketë takim mes tij dhe homologut serb, Aleksander Vuçiq.
Ndër të tjera, Thaçi ka potencuar se taksa ndaj Serbisë është vendim legjitim, dhe si e tillë sipas tij duhet të mbetet në fuqi.
“Në këtë forum nuk ka qenë e planifikuar që të ketë takim të veçantë mes dy presidentëve të Kosovës dhe Serbisë. Çdo vullnet i mirë për të vazhduar dialogu i pakushtëzuar nga na ime do të përshëndetet gjithmonë. Taksa është vendim i drejtë dhe legjitim dhe duhet të mbetet në fuqi, dhe nuk duhet të vendoset”, ka thënë ai.
Në fund, Thaçi ka thënë se udhëtimi i tij për në Sllovaki do të jetë mundësi e mirë që të takohet edhe me zyrtarë të lartë nga SHBA-të.