Hashim Thaçi ka thënë se Raporti i Progresit nuk reflekton në mënyrë objektive situatën në Kosovë.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka quajtur zhgënjyes vlerësimin e Raportit të Progresit për Kosovën, të cilin e ka pranuar sot nga shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova.
Ai ka thënë se raporti merret më shumë me taksën dhe fare pak me vlerësimin real të fushave të caktuara.
Gjuha e përdorur në raport, sipas Thaçit, e cilëson Kosovën si një shtet që pothuajse nuk ka bërë fare progres që nga shpallja e pavarësisë.
Fraza më së shpeshti e përdorur për vlerësimin e fushave të caktuara në këtë raport është: “Kosova është në faza të hershme/fillestare në çdo fushë”.
Ai ka thënë se, ky vlerësim dhe gjuha e përdorur, nuk reflekton në mënyrë objektive situatën në vendin tonë.
“Përderisa ne pranojmë kritikat dhe jemi të vetëdijshëm për sfidat, nuk mund të lejojmë në pafundësi trajtimin jo fer që BE-ja ka ndaj Kosovës”, thuhet në njoftimin e dërguar medieve.
Kreu i shtetit vlerëson se ky raport dekurajon vazhdimin e reformave, sidomos në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit.
Duke folur për marrëdhëniet e BE-së me Kosovën, ai ka theksuar se BE-ja duhet të tregohet parimore dhe të mos e mbaj të izoluar Kosovën.
Liberalizimi i vizave duhet të ndodh menjëherë dhe pa asnjë kushtëzim shtesë. Në të kundërtën, sipas tij, kredibiliteti i BE-së do të dëmtohet seriozisht.
Ai ka thënë se Kosova si shtet e ka prioritet shtetëror anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
“Në funksion të këtij qëllimi janë bërë shumë reforma të suksesshme, por natyrisht ende ka sfida. Prandaj, Kosova mbetet e gatshme të bashkëpunojë dhe e përkushtuar të angazhohet në thellimin e reformave në fushat e identifikuara”, ka thënë Thaçi.