Kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Halil Thaçi, për FrontOnline tha se mbështetja për partinë e tij është rritur ndjeshëm që nga vitin 2021.
Sipas tij, qytetarët tashmë e kanë kuptuar dallimin mes partive të tjera dhe VV-së, duke theksuar se nuk është në dijeni të sondazheve, por është i sigurt se mbështetja e VV-së është më e madhe se kurrë.
“Të jem real, nuk e di si është gjendja me sondazhe, por e di se tek qytetarët mbështetja është e madhe, më e madhe se me 2021, e them me përgjegjësi të plotë”, ka thënë Thaçi.
Thaçi ka theksuar gjithashtu se VV ka një plan të qartë për zhvillimin ekonomik dhe përkrahjen e bizneseve të vogla dhe të mesme, duke paralajmëruar se për katër vitet e ardhshme do të investohen një miliardë euro për këtë sektor.
Ai ka shprehur kënaqësinë e tij për plan-programin e Vetëvendosjes, duke besuar se ky plan do të sjellë zhvillim të qëndrueshëm dhe rritje të besueshmërisë nga qytetarët.
‘’Jam i kënaqur me plan-programin e VV-së për këto katër vitet e ardhshme’’ deklaroi Thaçi.