Hashim Thaçin që të gjithë prej të premtes po e kërkojnë në zyre, ai relaksohet në bjeshkë.
Presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka disa ditë që nuk ka patur paraqitje publike. Përkundër se Kryeministri i vendit tash e disa ditë ka dhënë dorëheqje, i pari i shtetit është mjaftuar me një reagim në facebook.
Madje, Presidenti i vendit tash e gati një javë nuk ka ndërmarrë asnjë veprim, përkundër se pothuajse të gjitha paritë politike i kanë kërkuar atij që ta shpallë datën e zgjedhjeve, pas dorëheqjes së Haradinajt të premten e shkuar.
Edhe ky i fundit, në dorëheqjen e tij ka kërkuar nga Thaçi një gjë të tillë.
Por, Hashim Thaçi ka mjaftuar që përmes facebook-u të zotohet se do t’i përmbushë obligimet e tij si Presidenti i vendit të përcaktuara me Kushtetutë, duke mos u paraqitur fare në publik, dhe duke zgjuar kureshtjen se ku ndodhet ai.
Këtë gjë e ka zbuluar një këshilltar i tij, duke shpërndarë fotografi me Presidentin në facebook, shkruan Reporteri.net.
Ismail Syla tregon se bashkë me Thaçin dhe kolegun e tij Bekim Çollaku, po shijojnë sot natyrën dhe bjeshkët e Kosovës.
“Duke shijuar bukuritë e natyrës sonë me miqtë e mi më të mirë”, ka shkruar shkrimtari në përshkrimin e kësaj fotografie.
Një gjë tjetër që bije në sy në fotografi është se të tre mbajnë gishtin e madh lartë, që njihet si simbol i PDK-së që e themeloi Thaçi, por që e braktisi pasi u bë President i vendit, duke ia lënë në dorë Kadri Veselit.