Hashim Thaçi thotë se me Jakup Krasniqin, asnjë gjykatë s’mund ta njollos luftën e UÇK-së.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar për ftesën që Gjykata Speciale i ka bërë kryetarit të këshillit kombëtar të Nismes Socialdemokrate, Jakup Krasniqit. Presidenti shprehet se pastërtia e luftës do të dëshmohet përballë çdo gjykate.
Presidenti Thaçi, shkruan se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë dhe do të mbetet përjetësisht e pastër dhe e drejtë.
“Asnjë gjykatë, as vendore, as ndërkombëtare, nuk mund ta njollos atë”, shkruan Thaçi.
Thaçi thotë se i çmon të gjithë që bashkëpunojnë me drejtësinë.
“Me Jakup Krasniqin, me anëtarët e tjerë të Shtabit të Përgjithshëm, komandantët e zonave dhe ushtarët që janë ftuar nga Gjykata Speciale, ne e kemi mbrojtur popullin dhe e kemi luftuar armikun deri në çlirimin e vendit tonë. Si president i vendit, si bashkëluftëtar, e çmoj shumë gatishmërinë e të gjithëve që të bashkëpunojnë me drejtësinë. Duke bashkëpunuar me drejtësinë ndihmojmë që të ngadhënjejë e vërteta për luftën tonë çlirimtare. Jam i bindur që, njëjtë sikurse në të kaluarën, sërish do të dalim fitimtarë. Pastërtia e luftës sonë do të dëshmohet përballë çdo gjykate”, ka shkruar presidenti.
Ndryshe, Jakup Krasniqi, përmes një postimi në Facebook ka njoftuar sot se ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale, por nuk ka treguar se në çfarë cilësie është ftuar.