Thaçi nga Berlini jep këtë lajm për liberalizimin e vizave

23:13 | 29 April 2019

Thaçi flet për vizat.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur para gazetarëve të shumtë kosovarë e të huaj, pas përfundimit të Samitit për Ballkanin, në Berlin, të organizuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron.

Ai ka thënë se “ka qenë një takim jashtëzakonisht i rëndë” në kryeqendrën gjermane. “Nuk mund të themi se ky takim ka pasur ndonjë rezultat konkret”, ka bërë të ditur Thaçi.

Nga Berlini, Thaçi ka dhënë një lajm të keq për vizat.

“Kosova ka theksuar shumë qartë se i duhet patjetër vendimi për liberalizimin e vizave”, ka deklaruar ai.

“Sepse, diçka të tillë Kosova e meriton, qytetarët e Kosovës e meritojnë”, është shprehur presidenti kosovar.

“I kemi implementuar standardet dhe kriteret e nevojshme. Nëse kjo nuk do të ndodhë në të ardhmen e afërt, do të jetë një zhgënjim i madh”, ka thënë Thaçi.

“Edhe sonte kishte paqartësi rreth këtij procesi. Është diskriminim dhe ndëshkim për Kosovën”, ka deklaruar ai.

Thaçi ka treguar se në takim është folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi.

“Konfirmuam zotimin tonë për fqinjësi të mirë. Dëgjuam me vëmendje kancelaren Merkel dhe presidentin Macron, për interesimin e tyre për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, për dialogun Kosovë-Serbi…”, ka thënë ai.

“Ishte konkludim i përbashkët i të gjithëve që ky konflikt i ngrirë mes Kosovës e Serbisë duhet të tejkalohet”, ka deklaruar Thaçi.

“Mundësia e vetme është që të ndodhë dialogu. Qëndrimi i Kosovës është i qartë, s’do të ketë dialog të kushtëzuar”, është shprehur ai.

Komento: