Kosova refuzoi të marrë pjesë në Samitin e Ohrit, Thaçi tregon arsyet
Kosova nuk po merr pjesë në Samitin që po mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Ky është takimi i dytë i tre prej liderëve të Ballkanit Perëndimor. Zoran Zaev, Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiq janë takuar për herë të dytë brenda një muaji, pas Novi Sadit, për të diskutuar mbi të ashtuquajturin “Schengen Ballkanik”.
Askush nga Kosova dhe Mali i Zi nuk do të marrë pjesë në Samitin e Ohrit, në përpjekje për të krijuar minishengenin ballkanik.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se janë tri arsye se pse Kosova refuzoj të jetë pjesë e takimit, transmeton lajmi.
Së pari, Kosova, qëllimshëm ishte anashkaluar nga Serbia në Samitin e Parë të kësaj iniciative të re rajonale.
Së dyti, vizioni i vetëm i Kosovës mbetet anëtarësimi në BE dhe NATO.
Dhe, së treti, kjo iniciativë rajonale është e pakuptimtë për aq kohë sa Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Shkrimi i plotë i Thaçit:
Si President i Republikës së Kosovës, dua të informoj qytetarët se, kam refuzuar pjesëmarrjen time në Samitin e Ohrit. Ky vendim për mospjesëmarrje bazohet në disa argumente ekzistuese.
Së pari, Kosova, qëllimshëm ishte anashkaluar nga Serbia në Samitin e Parë të kësaj iniciative të re rajonale. Së dyti, vizioni i vetëm i Kosovës mbetet anëtarësimi në BE dhe NATO. Prandaj, ne nuk duam që në asnjë rrethanë ta zëvendësojmë perspektivën tonë euroatlantike me çfarëdo iniciative rajonale.
Dhe, së treti, kjo iniciativë rajonale është e pakuptimtë për aq kohë sa Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Kosova është e përkushtuar për fqinjësi të mirë dhe heqjen e pengesave për lirinë e njerëzve dhe mallrave.
Por, Kosova nuk mund të jetë pjesë e një Samiti të tillë në te cilin marrin pjesë shtete, të cilat ende nuk e njohin realitetin e Kosovës së pavaruar.
Ne jemi të përkushtuar që të tejkalojmë pengesat aktuale nëpërmjet dialogut dhe marrëveshjes për njohje reciproke. Vetëm atëherë kur të ndodhë një gjë e tillë, ne do të bëhemi pjesë e iniciativave të tilla rajonale si shtete të barabarta. HTH