Thaçi: Pa SHBA-në s’ka marrëveshje, BE i dobët dhe jo-unik

21:49 | 01 May 2019

Presidenti Hashim Thaçi ka ritheksuar sot rëndësinë e pjesëmarrjes së SHBA-ve në çështjet e rëndësishme të Kosovës.

Ai tha se nuk mund të arrihet një marrëveshje përfundimtare me Serbinë pa rolin vendimmarrës dhe fjalën e fundit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Pa pjesëmarrjen e SHBA-ve dhe pa rolin udhëheqës në këtë proces – s’ka marrëveshje, Bashkimi Europian është i dobët dhe jo-unik për t’i rregulluar çështjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Thaçi në Zona B, pas përfundimit të Samitit të Berlinit.

“Uashingtoni për Kosovën është siguri, garanci, besim dhe vlerë. Në BE aktualisht nuk ka qartësi, nuk ka substancë, por nuk e ka as vizionin dhe autoritetin e ndikimit për një vendimmarrje të drejt”.

“Shpresoj që Emmanuel Macron do të jetë shumë më i qartë dhe më i përgatitur në takimin e Parisit. Unë nuk kam qenë fare optimist për takimin e Berlinit, tash jam akoma më i zhgënjyer”.

Presidenti Hashim Thaçi gjithashtu ka thënë se Kosova po ndëshkohet, diskriminohet dhe poshtërohet nga Bashkimi Europian për çështjen e mosliberalizimit të vizave, njofton Klan Kosova.

“Kosova po trajtohet padrejtësisht nga Bashkimi Europian duke mos marrë vendim për liberalizimin e vizave madje deri në elemente raciste. Kam kërkuar nga Kancelarja Angela Merkel dhe Presidenti Emmanuel Macron që të marrin iniciativë për një reflektim pozitiv tek autoritete e tyre”, tha Thaçi në Zonë B, pas përfundimit të Samitit të Berlinit.

“Neve na duhet vendimi për të lëvizur lirshëm”.

“Pas mesazheve tona të qarta besoj se Merkel edhe Macron do të reflektojnë. Ndërsa është shqetësues akti nëse dikush pretendon që heqjen e taksës ta qet si kusht për liberalizimin e vizave. Ky është kusht i papranueshëm për ne, do ta refuzojmë”.

“Nuk duhet të flasim për javë apo muaj, duhet të jemi të kujdesshëm, por jam i sigurt se vendimi do të ndodhë gjatë këtij viti”.

Komento: