Hashim Thaçi ka reaguar edhe njëherë pas deklaratës së presidentit të Serbisë.
Presidenti i Kosovës ka vazhduar të kundërshtojë ashpër deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq i cili dje deklaroi se masakra e Reçakut është fabrikim.
Thaçi dje e kishte quajtur këtë deklaratë skandaloze, duke thënë se nuk mund të ketë marrëveshje pa i pranuar krimet e bëra, shkruan lajmi.
Ndërsa, reagimet e Thaçit kanë vazhduar edhe sonte. Nëpërmjet një postimi në Tëitter, Thaçi ka bërë një krahasim interesant duke shkruar mbi postimin e kancelares gjermane Angela Merkel ku ajo flet për Aushvicin.
Muzeu i Aushvicit në Tëitter ka publikuar qëndrimin e kancelares gjermane e cila është shprehur e turpëruar gjatë vizitës së saj në këtë muze.
“Kancelarja gjermane Angela Merkel ka shprehur ndjenjën e turpit të thellë gjatë vizitës së saj në Muzeun e Aushvicit. “Këto krime janë dhe do të mbeten pjesë e historisë gjermane dhe kjo histori duhet të tregohet pa pushim.”, citon Muzeu i Aushvicit.
E presidenti Thaçi e ka shfryëtzuar këtë postim për t’iu kundërvënë edhe njëherë Vuçiqit, duke thënë se derisa Merkel denoncon krimin, udhëheqësit serbë me krenari flasin për gjenocidin.
“Ne do të arrijmë paqen për brezat e ardhshëm në Ballkan, kur turpi, asgjë përveç turpit, shprehet kur diskutojmë për trashëgiminë e Millosheviqit”, ka shkruar Thaçi.
“Kancelarja Merkel në një mënyrë dinjitoze foli në Aushvic për turpin e autorëve të krimit. Udhëheqësit serbë flasin me krenari për gjenocidin. Ne do të arrijmë paqen për brezat e ardhshëm në Ballkan, kur turpi, asgjë përveç turpit, shprehet kur diskutojmë për trashëgiminë e Millosheviqit.” ka thënë ai.