Presidentit i Kosovës, Hashim Thaçi ka dalë me deklaratë pas shpërndarjes së Kuvendit.
Thaçi ka thënë se shpërndarja e sotme e Kuvendit përshpejton hapat për organizimin e zgjedhjeve.
“Shpërndarja e sotme e Parlamentit të Republikës së Kosovës, përshpejton hapat e organizmit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës dhe në mungesë të gatishmërisë së partive politike parlamentare për të krijuar një qeveri të re”, ka deklaruar Thaçi.
Presidenti është shprehur se në bazë të kompetencave kushtetuese shumë shpejt do të marr vendim për shpalljen e zgjedhjeve.
“Brenda kompetencave të mia kushtetuese, ligjore dhe në përputhje të plotë me vendimin e sotëm të Kuvendit, së shpejti do të marr vendim për dekretimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Republikën e Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Ai ka shtuar se këto zgjedhje duhet të jenë demokratike.
“Këto zgjedhje duhet të jenë mirë të organizuara, profesionale, për të siguruar një proces fer, demokratik, që mundëson një monitorim të plotë të organizatave ndërkombëtare dhe atyre vendore”, ka thënë Thaçi.