Thaçi për agjencinë gjermane: Në Berlin Serbisë duhet t’i kërkohet që ta njoh Kosovën

16:00 | 28 April 2019

Neser në Berlin do të mbahet një samit i thirrur nga kancelarja Angela merkel dhe presidenti Emanuel Macron.

Agjencia e Lajmeve Gjermane (DPA), ka zhvilluar një intervistë me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në prag të takimit të përfaqësuesve të shteteve të Ballkanit Perëndimor me kancelaren gjermane, Angela Merkel, si dhe presidentin francez, Emmanuel Macron.

Në këtë intervistë, Thaçi ka thënë se në takimin e nesërm, Serbisë duhet t’i kërkohet që ta njoh pavarësinë e Kosovës.

“Serbia duhet të njoh shtetin e Kosovës, pa asnjë kusht”, ka shtuar ai.

Sipas DPA, Thaçi do të kërkojë nga Merkel dhe Macron, si iniciatorë të samitit në Berlin, që t’i kërkojnë qartë presidentit Vuçiq, njohjen e Kosovës.

Agjencia Gjermane e Lajmeve shkruan se në këtë samit pritet të marrin pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor, ku synohet që të ketë një dinamikë të re në dialogun Kosovë-Serbi.

Sipas DPA, Serbia kishte bojkotuar dialogun, pas vendosjes së tarifës për mallrat serbe nga Qeveria e Kosovës.

Presidenti Thaçi, sipas kësaj agjencie, thotë se është i gatshëm të vazhdojë dialogun, mirëpo pa kushte.

“Dialogu nuk duhet të kushtëzohet”, ka thënë ai, duke iu referuar kushtëzimeve që po bën Beogradi, për tu kthyer në tavolinën e bisedimeve.

Komento: