Thaçi për raportin e DASH-it: Jemi partner të barabartë të aleatëve tanë

13:15 | 02 November 2019

Thaçi flet për raportin e DASH-it.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është shprehur i gëzuar për lavdëratat që ka adresuar në drejtim të Kosovës, Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin për terrorizmin.

Në këtë raport të publikuar dje nga DASH, thuhet se Kosova ka pasur suksese në luftën kundër terrorizmit dhe vazhdon të jetë partner serioz i Koalicionit Global kundër ISIS-it.

Presidenti Thaçi është shprehur se ky raport numëron të arriturat e të gjitha agjencive, gjyqësorit, Policisë së Kosovës, Ministrisë së Drejtësisë dhe KFOR-it e EULEX-it.

“Kosova do ta luftojë pakompromis radikalizmin, ekstremizmin dhe terrorizmin e çdo forme. Jemi partner i barabartë i aleatëve tanë dhe kontribuues për paqen dhe sigurinë në rajon e më gjerë”, ka shkruar Thaçi.

Ky është postimi i plotë i Thaçit që ia ka bashkangjitur shpërndarjes së publikimit të raportit të DASH-it:

Më gëzon fakti që Kosova sërish lavdërohet në raportin e Departamentit të Shtetit për terrorizmin në vitin 2018, si shtet që ka bashkëpunuar me SHBA-në në luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit, si dhe vlerësohet si anëtare e Koalicionit Global kundër ISIS-it. Kapitulli për Kosovën numëron të arriturat e të gjitha agjencive, gjyqësorit, Policisë së Kosovës, Ministrisë së Drejtësisë, por edhe të KFOR-it dhe EULEX-it, duke vlerësuar bashkëpunimin e tyre në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë.

Kosova do ta luftojë pakompromis radikalizmin, ekstremizmin dhe terrorizmin e çdo forme. Jemi partner i barabartë i aleatëve tanë dhe kontribuues për paqen dhe sigurinë në rajon e më gjerë. HTH.

Komento: