Hashim Thaçi ka marrë pjesë në përkujtimin e 14 ushtarëve britanikë që humbën jetën në Kosovë.
Presidenti i vendit në kuadër të ceremonisë së Ditës së Përkujtimit të Mbretërisë së Bashkuar, sot ka kujtuar dhe nderuar sakrificën e 14 ushtarëve britanikë, të cilët ranë në krye të detyrës, duke i shërbyer paqes dhe stabilitetit në Kosovë.
Thaçi ka thënë se ata që me sakrificën e tyre ndërtuan paqen dhe humbën jetën në vendin tonë, nuk janë vetëm heronj të KFOR-it dhe shteteve anëtare të NATO-s, por edhe të Republikës së Kosovës.
“Nderim i përjetshëm për rreth 200 gra e burra që humbën jetën si pjesë e misionit të KFOR-it në Kosovë. Në kuadër të ceremonisë së Ditës së Përkujtimit të Mbretërisë së Bashkuar, sot nderojmë sakrificën e 14 ushtarëve britanikë, të cilët ranë në krye të detyrës, duke i shërbyer paqes dhe stabilitetit në Kosovë. Ata që me sakrificën e tyre ndërtuan paqen dhe humbën jetën në vendin tonë, nuk janë vetëm heronj të KFOR-it dhe shteteve anëtare të NATO-s, por edhe të Republikës së Kosovës”, ka shkruar presidenti Thaçi.