Thaçi: Pres që Merkel dhe Macron të kërkojnë nga Vuçiq dhe 5 vendet e BE-së ta njohin Kosovën

17:17 | 28 April 2019

Pak para nisjes për Berlin president i Kosovës, Hashim Thaçi ka mbajtur një koncerencë.

Nesër do të fillojë Samiti i Liderëve të Ballkanit Perëndimor i njohur ndryshe si, Takimi i Berlinit, raporton lajmi.

Sot para nisjes për në Berlin, presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka mbajtur një konferencë për medie në Aeroportin Ndërkombëtare “Adem Jashari”.

Thaçi në këtë konferencë ka thënë se pret që kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, që t’i bëjnë presion Aleksandar Vuçiqit për njohjen e pavarësisë së Kosovës, por që siç tha ai, do të kërkoj nga Merkel e Macron që edhe pesë vendet anëtare të BE-së ta njohin Kosovën.

“Pres që Merkel dhe Macron të kërkojnë nga Vuçiq njohjen e Kosovës në takim por edhe njohjen e Kosovës nga 5 vendet e tjera nga bashkimi evropian të cilat kanë ende hezitime për ta njohur shtetin e Kosovës. Kështu që do të jetë mirë që Merkel e Macron të bëj një gjë të tillë nga një takim i tillë i rëndësishëm”, deklaroi presidenti Thaçi, raporton lajmi.net.

Ai në këtë konferencë foli edhe për dialogun me Serbinë. Thaçi ka thënë se Kosova është e qartë dhe e gatshme që të vazhdojë dialogun me Serbinë, por që ky dialog do të bëhet pa ndonjë kushtëzim.

“Gjithashtu theksoj se, edhe sa i përket mundësisë së vazhdimit të dialogut, Kosova është shumë e qartë është e gatshme të vazhdojë dialogun me Serbinë me një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse e cila obligon njohjen e Kosovës…..Në asnjë rrethanë nuk do të lejojmë dialog të kushtëzuar nga Serbia”, deklaroi Thaçi, i cili shtoi se në këtë takim pret që të dënohet edhe gjenocidi i Serbisë mbi popullatën civile shqiptare në luftën e fundit në Kosovë.

Presidenti Thaçi theksoi se në Takimin e Berlinit nuk do të ketë asnjë dialog mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai theksoi se nuk do të lejojë në asnjë rrethanë që të krijohet një “Republika Srbska” në Kosovë e as të ndiqet modeli gjermano-gjerman.

Thaçi theksoi se është kundër shkëmbimit të territorit, por siç theksoi ai, duhet mbështetje për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

“Gjithashtu potencoj se pozicioni jonë është kushtetues e ligjor i një vendi të pavarur dhe sovran. Nuk pres se do të ndodh dialog mes Kosovë dhe Serbisë, por në të njëjtën kohë unë vazhdoj të ritheksoj pozicionin tim se do të ishte me interes mbështetja e shqiptarëve të Luginës me Kosovën….por gjithmonë do të jem kundër shkëmbimit të territorit të Kosovës dhe nuk do të lejojë në asnjë rrethanë asnjë lloj sovranitet të dyfishtë, asnjë ndonjë model gjermano-gjerman, as formimin e Republika Sbrska apo asnjë lloj asociacioni”, deklaroi Thaçi.

Ndryshe në Takimin e Berlinit do të marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Komento: