Hashim Thaçi dhe ambasadori Lamberto Zannier flasin për të drejtat e komuniteteve.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është takuar sot me Komisionerin e Lartë të OSBE-së për Pakica Nacionale, Lamberto Zannier me të cilin ka diskutuar për të drejtat e komuniteteve.
Thaçi ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar për rritjen e harmonisë mes komuniteteve dhe forcimin e paqes dhe stabilitetit, thuhet në njoftimin për media.
“Me kujdes e përcjelli vazhdimisht gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe jam i kënaqur me përparimin. Kemi ndërtuar kornizë ligjore që përkrah të drejtat e komuniteteve”, u shpreh Thaçi.
Po ashtu në njoftim thuhet se, Thaçi me ambasadorin Lamberto Zannier ka folur edhe për rëndësinë e themelimit të Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin.
“Është themeluar Ekipi Përgatitor për themelimin e këtij komisioni, që po përgatit kornizën ligjore dhe teknike. Ekipi Përgatitor është duke zhvilluar fushatën e konsultimeve publike, me mbështetje të misionit të OSBE-së. Unë jam mirënjohës për misionin e OSBE-së që i ka dhënë mbështetje të plotë iniciativës dhe punës së Ekipit Përgatitor”, ka thënë Thaçi.
Në njoftim thuhet se, amasadori Lamberto Zannier ka mirëpritur angazhimet për avancimin e infrastrukturës ligjore për të drejtat e komuniteteve dhe shprehu gatishmërinë për të ofruar përkrahje për përmirësimin e mëtejmë të marrëdhënieve mes komuniteteve në Kosovë.