Thaçi: Raportet me Japoninë po thellohen

19:29 | 11 September 2019

Presidenti Thaҫi ka thënë se raportet me Japoninë po thellohen.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në ditën e dytë të vizitës shtetërore në Japoni, ka takuar anëtarët e Lidhjes së Miqësisë në Kuvendin e Japonisë.

Ai ka theksuar se Lidhja e Miqësisë është rritur dhe përtërirë me deputetë të rinj dhe i ftoi ata që të vizitojnë Kosovën, njofton kumtesa, përcjell lajmi.net.

Sipas tij, hapja e Ambasadës së Japonisë që do të bëhet së shpejti në Prishtinë, është një dëshmi tjetër e bashkëpunimit dhe thellimit të miqësisë ndërmjet dy shteteve.

“Raportet me Japoninë janë duke shënuar përmirësim të hovshëm për çfarë më duhet të falënderoj kryeministrin Abe, Ministrin e Punëve të Jashtme dhe juve miq të nderuar”, ka shtuar ai.

Thaçi ka folur edhe për aspiratat e Kosovës për anëtarësim sa më të shpejt në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

“Në Kosovë ka konsensus të plotë që anëtarësimi në NATO dhe BE nuk ka alternativë, duke iu bashkuar vlerave perëndimore”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, siç njofton kumtesa nga presidenca, Ryu Shionoya, kryetar i grupit të miqësisë me Kosovën ka theksuar se të gjithë deputetë e anëtarë të këtij grupi do të angazhohen për të rritur bashkëpunimin tregtar dhe ekonomik ndërmjet dy shteteve.

Në darkë ishin edhe ministri i Lojërave Olimpike tani në detyrë të re në partinë LDP, deputeti Eto i rizgjedhur 13 herë, zëvendësministrja e punëve të jashtme Abe e cila ka vizituar Kosovën në shkurt, këshilltari i kryeministrit Abe për siguri Sonoura dhe deputeti Nakajama nga Osaka deri vonë kryetar i komisionit për politikë të jashtme.

Në këtë takim ishte edhe deputeti, Kenji Ëakamyia, kryesues i Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Japonisë, ndonëse nuk është anëtar i Lidhjes, shprehu kënaqësi për angazhimin për thellim të bashkëpunimit, veçanërisht në ekonomi.

Komento: