Thaçi ka takuar sot Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Ruairi O’Connell.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim lamtumirës Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Ruairi O’Connell, të cilin e ka falënderuar për kontributin e dhënë në thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve tona.
Presidenti Thaçi dhe ambasadori O’Connell në këtë takim kanë nënshkruar edhe një Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe, Irlandës së Veriut dhe Republikës së Kosovës, për të vazhduar mbështetjen për FSK-në.
Siç bëhet e ditur në njoftim, presidenti Thaçi e falënderoi ambasadorin O’Connell për punën e tij në Kosovë.
“Kemi ngritur bashkëpunimin tonë në nivel edhe më të lartë”, u shpreh presidenti Thaçi.
Ndërsa duke folur për Memorandumin e Mirëkuptimit, Presidenti Thaçi u shpreh se kjo i hapë rrugë vazhdimit të bashkëpunimit të FSK-së me Britaninë e që do të sjellë ngritje të mëtutjeshme të aftësive dhe kapaciteteve të FSK-së.
“Mbretëria e Bashkuar në vazhdimësi ka mbështetur Republikën e Kosovës në të gjitha fushat. Ne do të jemi gjithmonë mirënjohës për këtë mbështetje”, ka thënë presidenti Thaçi.
Ai e ka falënderuar ambasadorin O’Connell, duke i uruar suksese në vazhdimin e karrierës së tij.