Thaçi takohet me Metën para Samitit të Brdo-Brijunit

16:31 | 08 May 2019

Presidenti Hashim Thaçi ka takuar homologun e tij shqiptar Ilir Metën, ku ka thënë se duhet shfrytëzuar momentumi për t’u zgjidhur mosmarrëveshjet në rajon.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është pritur sot në takim nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, para fillimit të Samitit të Brdo-Brijunit.

Presidenti Thaçi ka falënderuar presidentin Meta, për organizimin e këtij Samiti, i cili mbledhë të gjithë liderët e rajonit, për të diskutuar për të ardhmen evropiane dhe për të nxitur komunikimin për fqinjësi të mirë ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimorë.

Siç njofton kumtesa nga presidenca, Thaçi ka theksuar se ky samit është një mundësi e radhës për të diskutuar për marrëdhëniet fqinjësore dhe integrimet euro-atlantike.

“Pas Marrëveshjes së Prespës ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, duhet të shfrytëzojmë momentumin për të zgjidhur të gjitha mosmarrëveshjet në rajon”, ka theksuar Thaçi.

Thaçi gjatë ditës pritet të takojë Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Frederica Mogherini.

Komento: