Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur udhëheqësen e ekipit mbështetës në kuadër të Departamentit të Mbrojtjes për Kosovën në SHBA, Abigail Robinson, të cilën e falënderoi për kontributin shumëvjeçar në procesin e tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës.
Ky ekip sipas presidentit Thaçi, e kishte përkrahur transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës që nga viti 2014, pas rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë.
“Duke ditur rolin vendimtar të SHBA-së në NATO, jemi të sigurt se procesi i integrimit të Kosovës në Aleancën Veriatlantike do të jetë shumë më i shpejt”, u shpreh presidenti Thaçi.
Ndërsa, udhëheqësja e ekipit mbështetës në kuadër të Departamentit të Mbrojtjes për Kosovën në SHBA, Abigail Robinson, theksoi se nga viti 1999 ka qenë nder dhe privilegj për të që të merret me Kosovën dhe të kontribuoi në procesin e shtetndërtimit dhe të krijimit të strukturave të sigurisë në Kosovë.
“Kam qenë e lumtur që kam punuar në Kosovë dhe për Kosovën gjatë këtyre viteve”, ka thënë Robinson.
Presidenti Thaçi dhe Robinson u shprehen të bindur se bashkëpunimi ndërmjet ekipit të DIR-it amerikan dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës do të vazhdojë edhe në të ardhmen.