Presidenti i vendit, Hashim Thaçi po merr pjesë në konferencën mbi parandalimin dhe luftimin e korrupsionit në nivel të lartë e organizuar nga misioni i OSBE-së.
Thaçi në konferencën mbi parandalimin dhe luftimin e korrupsionit në nivel të lartë, theksoi se dukuria e korrupsionit shkakton pasoja edhe në rrafshin e sigurisë. Ai ndër të tjera tha se Kosova ka marrë veprime për konsolidimin e ligjit.
“Korrupsioni është një krim serioz jo vetëm për vendin tonë por edhe për vendet më të zhvilluara dhe një sfidë për demokracinë. Fenomeni i korrupsionit është një sfidë në shkallë globale. Përveç pasojave që shkakton në zhvillimet politike dhe socio ekonomike, dukuria e korrupsionit shkakton pasoja edhe në rrafshin e sigurisë. Si shtet i ri duhet të jemi të pa kompromis në parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie. Sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë e prirë për të luftuar dukuri negative në këtë rrafsh edhe korrupsionin në të gjitha nivelet, e ushqejnë rritjen ekonomike dhe mbrojnë mirëqenien e qytetarëve. Në këtë drejtim, Republika e Kosovës ka marrë një sërë veprimesh me qëllim të konsolidimit të sundimit të ligjit dhe në funksion të respektimit të rendit Kushtetues”, ka thënë Thaçi, raporton Telegrafi.
Presidenti Thaçi ka përmendur edhe sfidat që janë përmendur në raporte ndërkombëtare, si raporti i DASH-it.
“Kosova ka miratuar legjislacion përkatës për këtë fushë duke krijuar mekanizma institucional dhe ndërinstitucional për këtë qëllim. Kosova gjatë shtet ndërtimit ka pasur edhe sfida që disa prej tyre janë tejkaluar dhe tjerat janë adresuar. Këto pasqyrohen edhe në raporte të ndryshme nga mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë. Së fundmi e kemi raportin për të drejtat e njeriut në Kosovë për vitin 2018, i publikuar nga departamenti amerikan i shtetit që ka identifikuar shumë përparime në sektorin e drejtësisë, por edhe sfida që i kemi përpara. Të gjitha ngecjet që identifikohen nga mekanizmat vendorë apo ndërkombëtar sidomos nga ata mekanizma me prioritet të lartë, duhet të merren seriozisht nga institucionet e vendit dhe të punohet në përmirësimin e tyre”, ka theksuar ai.
Ndër të tjera ai ka përmendur edhe ligjet që janë nxjerrë, dhe hapat që janë ndërmarr në fushën e legjislacionit.
“Jam i lumtur të konstatoj se gjatë 2018 dhe në fillim të 2019 Kosova ka marr hapa të mëdhenj në konsolidimin e legjislacionit që ndërlidhen me fushën kundër korrupsionit që janë nxjerr ligje të reja apo janë ndryshuar strukturat aktuale. Ndër to janë: Kodi Penal i Kosovës që pritet të hyjë në fuqi në prill të këtij viti, ligji për kompetenca të zgjeruara për konfiskimin e pasurisë, ligji për përgjegjësi disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ligji për gjykatat, ligji për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, ligji për Këshillin Prokurorial, ligji për mbrojtjen e sinjalizuesve, ligji për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, ligji për kontroll të brendshëm për financa publike etj. Ky legjislacion mundëson që në mënyrë sa më efikase të parandalohen veprat penale. Po ashtu ky legjislacion ofron mbrojtje për të gjithë ata që lajmërojnë apo raportojnë shkelje në sektorin publik dhe privat”, ka shtuar ai.