Kreu i shtetit të Kosovës, Hashim Thaçi ka folur për për letrën e presidentit të SHBA-ve Donald Trumpit se është detyrim t’i përgjigjemi pozitivisht thirrjeve të SHBA-së.
Thaçi, ka shpërndarë letrën që ka pranuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Presidenti Thaçi ka thënë se liria dhe pavarësia e Kosovës, janë rezultat i luftës sonë të drejtë dhe përkrahjes së aleatëve tanë strategjikë ndërkombëtarë.
Realizimi i synimeve tona për anëtarësim në NATO, BE dhe OKB është i pamundur pa përkrahjen e vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare.
Sipas tij, Kosova është e bekuar që gëzon mbështetjen e palëkundur të SHBA-ve dhe të popullit amerikan, ku bashkëpunimi dhe miqësia jonë është e përhershme dhe reciproke.
“Mirëpo, ne duhet të dimë ta ruajmë dhe forcojmë këtë partneritet që kemi. Respekti dhe ndihma duhet të jenë reciproke dhe jo të njëanshme. Prandaj, është detyrim yni që t’i përgjigjemi pozitivisht thirrjeve dhe kërkesave miqësore, që vinë nga SHBA-të. Një kërkesë e tillë miqësore, por në të njëjtën kohë shumë serioze, më është bërë drejtpërsëdrejti nga Presidenti i SHBA Donald Trump”, ka shkruar Thaçi.
Në këtë letër, Presidenti Trump, ndër të tjera kërkon nga liderët e Kosovës, që ta shfrytëzojnë këtë moment unik që të flasim me një zë, me qëllim të arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë.
“Dështimi për të përfituar nga kjo mundësi unike, do të ishte një kthim tragjik mbrapa, sepse një mundësi tjetër marrëveshje paqësore gjithëpërfshirëse, vështirë se do të mund të përsëritet për një kohë të gjatë”, ka thënë Trump.