Është përshkallëzuar ‘lufta’ mes presidentit Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinajt.
Insistimi i presidentit Hashim Thaçi për korrigjimin e kufirit me Serbinë dhe rezistenca e kryeministrit Ramush Haradinaj për të mos e hequr taksën ndaj produkteve serbe ka bërë që të përshkallëzohet “lufta” mes dy liderëve kryesorë të vendit.
Analistët vlerësojnë se duke u nisur nga zhvillimet aktuale në fund do të dalë fitues vetëm njëri prej protagonistëve, shkruan Zëri.
Shpërfaqja e idesë për korrigjim të kufirit me Serbinë nga ana e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe vendosja e taksës nga Qeveria, e udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj, kanë bërë që të dy krerët e institucioneve kyçe të vendit të përplasen ashpër mes vete.
Përderisa presidenti Thaçi po vazhdon të insistojë në korrigjim të kufirit me Serbinë, shefi i ekzekutivit është barrikaduar fuqishëm kundër një skenari të tillë.
Kjo, pasi sipas Haradinajt secili qytetar, duke përfshirë këtu edhe presidentin është i obliguar ta mbrojë Kushtetutën e vendit dhe kufijtë e 17 shkurtit të vitit 2008.
Kushdo që e cenon pavarësinë e Kosovës, sipas tij, mund të cilësohet lirshëm armik i popullit. Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se një “luftë” e tillë mes krerëve institucionalë ndikon tejet negativisht për Kosovën.