Thëllohet ‘lufta’ mes kryeministrit dhe presidentit – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Thëllohet ‘lufta’ mes kryeministrit dhe presidentit

08:35 | 13 Shkurt 2019

Është përshkallëzuar ‘lufta’ mes presidentit Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinajt.

Insistimi i presidentit Hashim Thaçi për korrigjimin e kufirit me Serbinë dhe rezistenca e kryeministrit Ramush Haradinaj për të mos e hequr taksën ndaj produkteve serbe ka bërë që të përshkallëzohet “lufta” mes dy liderëve kryesorë të vendit.

Analistët vlerësojnë se duke u nisur nga zhvillimet aktuale në fund do të dalë fitues vetëm njëri prej protagonistëve, shkruan Zëri.

Shpërfaqja e idesë për korrigjim të kufirit me Serbinë nga ana e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe vendosja e taksës nga Qeveria, e udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj, kanë bërë që të dy krerët e institucioneve kyçe të vendit të përplasen ashpër mes vete.

Përderisa presidenti Thaçi po vazhdon të insistojë në korrigjim të kufirit me Serbinë, shefi i ekzekutivit është barrikaduar fuqishëm kundër një skenari të tillë.

Kjo, pasi sipas Haradinajt secili qytetar, duke përfshirë këtu edhe presidentin është i obliguar ta mbrojë Kushtetutën e vendit dhe kufijtë e 17 shkurtit të vitit 2008.

Kushdo që e cenon pavarësinë e Kosovës, sipas tij, mund të cilësohet lirshëm armik i popullit. Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se një “luftë” e tillë mes krerëve institucionalë ndikon tejet negativisht për Kosovën.

Komento: