Thellohet skandali në spitalin e Pejës, drejtori i shkarkuar pretendon se përgjegjësit ‘i shpëtuan’ shkarkimit pas ndërhyrjeve politike

19:35 | 24 December 2022

Drejtori i Spitalit Rajonal të Pejës, Muhamet Haliti, i cili u shkarkua pas rastit tragjik të fëmijës që përfundoi në lavatriçe, ka thënë se ai nuk është përgjegjës për rastin.

“Theksoj prapë se ky rast nuk është përgjegjësi e punës se mjekut”, ka deklaruar Haliti përmes një reagimi në Facebook.

Haliti ka akuzuar tre pjesëtarë të tjerë të stafit të spitalit si përgjegjës kryesorë që “lejuan” trupin e pajetë të një fëmije të bëhej copë-copë, por tha se të njëjtit nuk janë shkarkuar pasi ka pasur ndërhyrje politike nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Kjo përgjegjësi bjen drejtpërdrejtë mbi ushtruesin e detyrës të drejtorit të administratës Z.Selman Kelmendi. Shefit të shërbimit Teknik Z. Ardian Shala dhe mbikqyrësit të higjienës Z.Hysë Kastrati. Ndaj të cilëve drejtori ekzekutiv nuk ka ndërrmarrë kurfarë masa për shkak të bindjes politike dhe farëfisit që ka me përgjëgjesit kryesor”, deklaroi ai.

“Besoj se në këtë shkarkim të padrejtë timin ka nderhyrje politike pasi që përgjegjësi kryesorë është Z.S.Kelmendi e që është një militant i partisë politike VV, ndërsa shefi I shërbimit teknik është kushëri i afërt i drejtorit ekzekutiv, prandaj në papërvojën e menaxhimit të drejtorit ekzekutiv z.Fazli Shala dhe i ndikuar nën presion e partisë politike duke filluar nga drejtoresha e SHSKUK dhe ushtruesja e detyrës së Ministres të Shëndetësisë është detyruar të marrë këtë vëndim për ta shfajësuar përgjegjësine e tyre morale për dorëheqje”, tha tutje Haliti.

Kujtojmë se Spitali i Pejës ka njoftuar të shtunën se ka shkarkuar edhe dy drejtorë në lidhje me rastin e foshnjës, e cila një javë më parë ishte futur në rrobalarëse, pasi kishte lindur e vdekur.

Postimi i plotë:

Komento: