Instituti Albanologjik në Prishtinë, ka bërë të ditur se sot u themelua këndi i Librit Arbëresh, një kënd mjaft i veçantë dhe i rëndësishëm në bibliotekën e institucionit tonë kërkimor-shkencor.
Ky kënd me rëndësi të çmueshme kulturore do t’i mbledhë në një vend librat e shkruar nga arbëreshët, për arbëreshët dhe rreth arbëreshëve.
“Themelimit të këtij këndi i parapriu vizita dhe nderimi që na bën, z. Rexhep Rifati dhe z. Musa Jupolli, veprimtarë, krijues dhe publicistë të shquar shqiptarë, pjesë e mërgatës sonë të mirë. Ata na dhuruan një kontingjent veprash të shkruar nga autorët arbëreshë dhe studiuesit që i kanë trajtuar arbëreshët. Z. Rexhep Rifati dhe z. Musa Jupolli dhanë një kontribut të çmueshëm, duke u bërë ndihmetarët parësorë në krijimin e këndit të sipërpërmendur. Z. Rifati dhe z. Jupolli u pritën nga u.d. i drejtorit të Institutit Albanologjik, z. Naim Berisha dhe sekretari shkencor, z. Adil Olluri, të cilët i njoftuan mysafirët për punët dhe botimet e institucionit tone”, thuhet në njoftim transmeton FrontOnline.
Instituti ka theksuar se librat e sjella në bibliotekën i morën si një dhuratë të bukur dhe të vlefshme fundviti, derisa kanë falenderuar përzemërsisht zotërinjtë në fjalë.