Themeluesi i WikiLeaks në gjendje të rëndë shëndetësore

19:07 | 25 November 2019

Julian Assange është në gjendje shumë të rëndë shëndetësore.

Më shumë se 60 mjekë flasin për këtë në një letër të hapur. Ata kanë frikë se themeluesi i platformës së zbulimit WikiLeaks, mund të vdesë së shpejti.

48-vjeçari australian aktualisht ndodhet në një burg të sigurisë së lartë në Mbretërinë e Bashkuar. Ai ende po lufton kundër një kërkese për ekstradim nga Shtetet e Bashkuara. Seancat e para dëgjimore do të fillojnë në shkurt.

Të dërgohet në klinikën universitare

Në letrën drejtuar Ministrit të Brendshëm Priti Patel, 60 mjekë kërkojnë që Assange të transferohet nga burgu i Belmarshit në juglindje të Londrës në një spital universitar. Assange ka probleme psikike përfshirë depresionin, një sëmundjen të rëndë të supeve dhe probleme dentare. Mjekët e bazojnë vlerësimin e tyre në “raporte tronditëse të dëshmitarëve okularë” në një dalje në publik të Assange-s më 21 tetor në Londër.

Ata gjithashtu i referohen një raporti të Nils Melzer-it, Raportuesit Special të Kombeve të Bashkuara për Torturën, të datës 1 nëntor. Eksperti i pavarur juridik i OKB-së kishte deklaruar se Assange ishte i ekspozuar ndaj “arbitraritetit dhe abuzimit” dhe se kjo mund t’i “kushtojë atij së shpejti jetën e tij”.

Bëri publike planet ushtarake

Assange përdori platformën e zbulimit të ËikiLeaks, të themeluar prej tij, për të publikuar në vitin 2010 dosje sekrete ushtarake dhe diplomatike për planet e bombardimeve amerikane në Afganistan dhe Irak. Prandaj ai akuzohet në Shtetet e Bashkuara për shkeljen e ligjit kundër spiunazhit.

Për shumë vite, Assange u përball veç kësaj me akuzën e përdhunimit. Por drejtësia suedeze e tërhoqi akuzën një javë më parë. Hetimi i saj për një akuzë për përdhunim të vitit 2010 është ndërprerë, megjithëse ata e konsideruan pretendimin e paditëses si “të besueshme”, thanë hetuesit në Stokholm.

Mjekët, të cilët i referohen tani në letrën e tyre të hapur gjendjes së dobët shëndetësore të Assange-s, janë nga vende të ndryshme. Nënshkrues janë mjekë nga Shtetet e Bashkuara, Australia, Mbretëria e Bashkuar, Suedia, Italia, Gjermania, Sri Lanka dhe Polonia.

Komento: