Thesari letër KGJK-së dhe Odës së Përmbaruesve: Numër i konsiderueshëm i urdhrave përmbarimorë kanë mbetur pa ekzekutuar, s’ka buxhet

17:45 | 17 Qershor 2026
thesari-leter-kgjk-se-dhe-odes-se-permbaruesve:-numer-i-konsiderueshem-i-urdhrave-permbarimore-kane-mbetur-pa-ekzekutuar,-s’ka-buxhet

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Thesarit, Nysret Koca i është drejtuar me një letër Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Odës së Përmbaruesve Privatë, duke i njoftuar se një numër i konsiderueshëm i urdhrave përmbarimorë kanë mbetur pa u ekzekutuar si shkak i mungesës së buxhetit.

Në letër, Thesari i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Financave, i njofton KGJK-në dhe Odën e Përmbaruesve lidhur me trajtimin e urdhrave përmbarimorë të pranuar në Thesari për ekzekutim ku debitorë janë organizatat buxhetore.

Në letrën e publikuar nga “Betimi për Drejtësi“, thuhet se pas shqyrtimit të gjendjes aktuale të ekzekutimit të urdhrave përmbarimorë, këtë vit deri më tani janë proceduar nga Thesari mijëra urdhra gjyqësorë dhe përmbarimorë në vlerë 88.5 milionë euro.

Ndërkaq, theksohet se një numër i konsiderueshëm i lëndëve të pranuara në Thesat mbeten të paekzekutuara për shkak të mungesës së mjeteve të disponueshme buxhetore në organizatat buxhetore (debitori), rrethanë kjo, që sipas tyre është jashtë kompetencave të Thesarit.

“Për rrjedhojë, lëndët e paekzekutuara do të mbeten në procedurë pranë Thesarit dhe do të trajtohen sipas Organizatës përkatëse buxhetore dhe sipas radhës së pranimit, menjëherë pas krijimit të disponueshmërisë buxhetore për realizimin e tyre”, thuhet në letër.

Në fund të letrës, thuhet se Thesari i Kosovës mbetet i përkushtuar për zbatim të ligjshëm, transparent dhe të barabartë të të gjitha urdhrave giyqësore dhe përmbarimore, në pajtim me legjislacionin në fuqi.

Komento: