Thesari letër ministrit të Financave, e njofton se Bahtiri e ka “kapitulluar” Komunën e Mitrovicës

22:58 | 01 October 2021

Drejtori i Përgjithshëm i Thesarit të Shtetit, Ahmet Ismaili, ka dërguar një dokument në adresë të Ministrisë së Financave, lidhur me keqmenaxhimin e buxhetit të Komunës së Mitrovicës së Jugut, duke detyruar të bllokohen fondet e kësaj komune.

Nëpërmjet një dokumenti të shpërndarë nga ish-kandidatja për kryetare të Komunës së Mitrovicës nga radhët e PDK’së, bëhet me dije se si pasojë e këtij vendimi punëtorët komunal do mund të mbesin pa paga deri në fundvit.

“Sipas evidencave të Zyrës Ligjore të Thesarit, janë mbi 100 urdhra në pritje për ekzekutim, në vlerë që arrin vlerën afër 1.3 milionë euro. Gjithashtu, sipas të dhënave të SIMFK, buxheti juaj aktual nga të gjitha fondet burimore (10, 21, 22), është i pamjaftueshëm për të përmbushur këto obligime, për të cilën jeni të vetëdijshëm, dhe nuk ju siguron as pagat e rregulluara për vitin fiskal”, thuhet në dokument.

Përgjegjësinë për marrjen e vendimit, siç thuhet në dokument, i ka mbetur Ministrisë së Financave. Siç njoftohet tutje, ligji parasheh që të ndërmerret një vendim i prerë pa të drejtë ankese ndaj rastit në fjalë.

Komuna e Mitrovicës së Jugut, e as ministri i Financave, Hekuran Murati, ende nuk ka bërë ndonjë reagim lidhur me këtë dokument që i ka shkuar në adresë Ministrisë së Financave.

Komento: