Në ceremoninë ushtarake që FSK-ja e ka mbajtur për nder të 21 vjetorit të Epopesë së UÇK-së, ka folur edhe përfaqësuesi i familjes Jashari, Rifat Jashari.
Ai duke uruar të gjithë për formimin e ushtrisë së Kosovës ka thënë se dëshiron që këta ushtarë të jenë të gatshëm gjithmonë ta mbrojnë territorin e Kosovës, siç e ka mbrojtur Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
“Duke i falënderuar të gjithë miqtë tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha shtetet që na kanë ndihmuar dhe shpresoj që prapë do të na ndihmojnë”, ka thënë Jashari. Epopeja e UÇK-së fillon më 5 mars dhe përfundon më 7 mars me Natën e Zjarreve.
Më 5 mars 1998 kishte filluar sulmi në familjen Jashari ku pas tri ditësh qëndresë ishin vrarë komandanti legjendar, Adem Jashari, vëllai i tij Hamza dhe të gjithë anëtarët e familjes, përveç Besartës, vajzës së Hamzës, e cila që në atë kohë i kishte 11 vjet.