OBSH-ja ka bërë thirrje që të vihen maskat në publik.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se është duke “këshilluar qeveritë” që të inkurajojnë qytetarët për të vendosur maska në ambiente publike, me qëllim të ndalimit të përhapjes së coronavirusit të ri.
Kjo Organizatë pati thënë në të kaluarën se nuk ka mjaftueshëm të dhëna për të mbështetur përdorimin e maskave nga njerëzit e shëndetshëm në ambiente publike dhe se vetëm ata që janë të sëmurë duhet të pajisjen me to.
“Ne kemi të dhëna tani që nëse kjo gjë bëhet në mënyrën e duhur, mund të vendosë ndalesa për stërpikat potencialisht infektuese”, ka thënë mjekja Maria van Kerkhove për agjencinë e lajmeve, Reuters.
“Dhe po e specifikojmë, maskën të fabrikuar, që nuk është për përdorim mjekësor”.
Në udhëzimet e reja, të cilat janë shtyrë përpara nga studimet e fundit, OBSH-ja ka theksuar se përdorimi i maskave është vetëm një prej gjërave që mund të përdoren për të ulur rrezikun e bartjes së virusit, ndonëse ato nuk duhet të krijojnë ide të rreme te njerëzit.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, 6.7 milionë persona në gjithë botën janë infektuar me coronavirusin e ri.
Prej tyre, mbi 390,000 kanë vdekur.