Thyhet koalicioni, PDK-ja paralajmëron rrëzimin e Qeverisë

07:59 | 15 April 2019

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) paralajmëron rrëzimin e Qeverisë.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, së fundmi ka deklaruar se vendit mund t’i kthehet dinjiteti vetëm me Kadri Veselin kryeministër dhe me PDK-në në qeverisje. Analistët vlerësojnë se këto deklarata mund të shpijnë në rrëzim të Qeverisë dhe në zgjedhje të parakohshme, shkruan sot gazeta Zëri.

Ka kohë prej kur dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, po kërkojnë rrëzimin e qeverisë “Haradinaj” dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme. Përveç partive opozitare, së fundmi, edhe pse jo në mënyrë direkte, edhe partneri më i madh i koalicionit qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës, po shihet si kërcënim për rrëzimin e Qeverisë, në të cilën edhe ata kanë hise.

Në një tubim të mbajtur këto ditë në Prizren nënkryetari i Partisë Demokratike, Enver Hoxhaj, u shpreh se besimi në shtetin e Kosovës mund të kthehet vetëm me qeverisjen e PDK-së dhe me Kadri Veselin si kryeministër. Analistët vlerësojnë se këto deklarata, por edhe qëndrimet e ndryshme brenda koalicionit qeverisës mund të konsiderohen si sinjale të PDK-së për rrëzimin e Qeverisë, fuqi të cilën konsiderojnë që kjo parti e ka.

Ndonëse nga Partia Demokratike e Kosovës nuk pranojnë se aktualisht kanë për qëllim rrëzimin e Qeverisë, LDK-ja vlerëson se duke i ditur praktikat e mëhershme PDK-ja mund ta bëjë të mundur një gjë të tillë për një kohë të shkurtër. Mirëpo deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rasim Selmanaj, u shpreh se nuk i shohin kërcënuese deklaratat e PDK-së, sipas tij ambiciet për të udhëhequr me shtetin janë normale edhe kur vijnë nga partnerët me të cilët bashkëqeverisin.

“Deklaratat e PDK-së nuk janë kërcënuese, ambiciet për ta udhëhequr Qeverinë janë normale. Janë deklarata normale si të të gjitha partive dhe janë edhe demokratike. Mirëpo në këto rrethana ne jemi duke punuar dhe Qeveria është stabile”, ka thënë Selmanaj për Zërin.

Komento: