Tifozët e Kosovës kritikohen nga golashënuesi më i mirë i Bullgarisë

11:07 | 26 Mars 2019

Golashënuesi më i mirë i Bullgarisë ka thënë se tifozët e Kosovës, “Dardanët” nuk ishin mikpritës të mirë.

Golashënuesi më i mirë i ekipit kombëtar të Bullgarisë, Vassil Bozhikov, nuk mbeti i kënaqur me pritjen që “Dardanët” ia bënë skuadrës së tij në ndeshjen kundër Kosovës.

Mbrëmë në “Fadil Vokrri”, Kosova barazoi me rezultat 1:1 kundër Bullgarisë. Golashënuesi Bozhikov beson se Bullgaria mund të kishte siguruar edhe fitore në këtë ndeshje nëse do të kishte luajtur me më shumë vetëbesim, raporton Gazeta Express.

Fillimisht, bullgarët kaluan në epërsi në minutën e 39-të të ndeshjes, përmes golit të shënuar nga Vasil Bozhikov. Mirëpo, në minutën e 61-të, Arbër Zeneli e barazoi rezultatin me një supergol.

“Dardanët” kishin shumë raste për ta shënuar golin e fitores në këtë ndeshje, mirëpo djelmoshat e Bernard Challandes nuk e arritën këtë qëllim. Ylli i Ëerder Bremenit, Milot Rashica, i pati katër raste të mira gjatë ndeshjes, mirëpo nuk arriti t’i konkretizojë asnjërën nga to.

“Ne e dinim se e kishim përpara një ndeshje të vështirë. E pamë një video të një ndeshjeje të Kosovës dhe e pamë se ata luajnë futboll të mirë. Ata na bënin presion, nuk na lejuan të marrim frymë”, ka thënë Bozhikov.

“Publiku këtu nuk ishte mikpritës, por ne nuk mbetëm të shtangur. Nëse do të kishim besuar më shumë, do ta kishim fituar ndeshjes. Në fund, do ta shohim nëse këto dy barazime do të jenë të mira”.

Tifozët e Kosovës, të pranishëm në stadium, fishkëllenin kur bullgarët ishin në posedim të topit, si dhe në rastet kur kishte incidente kontroverse, siç ishte zënka me Amir Rrahmanin e Mërgim Vojvodën.

Pas barazimit 1:1 me Bullgarinë, Kosova radhitet në pozitën e tretë në tabelën e Grupit A për kualifikim në Kampionatin Evropian, megjithatë me një ndeshje më pak të zhvilluar se Anglia e Bullgaria që radhiten para Kosovës.

Komento: