Tifozët zbulojnë arsyen pse Shaqiri nuk po luan për Liverpoolin

12:48 | 12 Prill 2019

Xherdan Shaqiri nuk po luan për Liverpoolin, e tifozën mendojnë se kanë zbuluar arsyen.

Faqja e tifozëve të Liverpoolit, Liverpool Echo, e ka publikuar një artikull për mungesën e Xherdan Shaqirit në ndeshjet e muajve të fundit të Liverpoolit, duke pretenduar se arsyeja pse 27-vjeçari nuk po luan është për shkak të mungesës së angazhimit të tij në fazën e mbrojtjes.

Marshi i Liverpoolit drejt titullit të Premierligës po vazhdon – pa Xherdan Shaqirin. Përfaqësuesi zviceran u konsiderua si pazari më i mirë i sezonit për shkak të ndikimit që e pati në pjesën e parë të sezonit.

Shaqiri i shënoi gjashtë gola në fillim të karrierës së tij me Liverpoolin, qoftë nga stoli ose edhe nga formacioni i parë. Pikën më të mirë të karrierës në Anfield ai e përjetoi në ndeshjen kundër rivalit të vjetër, Manchester Unitedit, kundër të cilëve i shënoi dy golat e fitores.

Edhe pas kësaj ndeshjeje, Shaqiri shënoi sërish në ndeshjen kundër Neëcastleit. Ndikimi që 27-vjeçari e kishte në skuadrën e Jurgen Kloppit ishte i pamohueshëm, pasi që arriti të ndërhyjë në dinamikën e treshes së famshme të sulmit të Liverpoolit.

Aftësia e tij në fazën e sulmit bëri që trajneri Jurgen Klopp ta ndryshojë formacionin nga 4-3-3 në 4-2-3-1, në mënyrë që të kishte vend në formacion të parë për Shaqirin, përkrah Mohamed Salahut, Roberto Firminon e Sadio Manen.

Megjithatë, që nga atëherë, Shaqiri duket se është zhdukur në skuadrën e Liverpoolit. Ai nuk e ka shënuar asnjë gol dhe nuk e ka bërë asnjë asist që nga përballja me Neëcastleit. Ai nuk ka luajtur asnjë minutë në tetë ndeshjet e fundit për klubin anglez.

Për shkak që gjatë kohës së fundit Liverpooli e ka humbur epërsinë prej shtatë pikëve ndaj Manchester Cityt në tabelën e Premierligës, Kloppi nuk po rrezikon të luajë me Shaqirin pasi që pastaj skuadra mbetet më e dobët në fazën e mbrojtjes.

Liverpooli e ka një pikë dhe një ndeshje më shumë se Manchester City dhe Kloppi dëshiron të sigurohet se skuadra e tij është e baraspeshuar në këto ndeshje të mbetura, as të mos jetë shumë e përqendruar në sulm e as në mbrojtje.

Komento: