Pep Guardiola e pranoi se titulli i Ligës Premier tani është në duart e Manchester Cityt pasi fituan 4-1 ndaj Arsenalit të mërkurën mbrëma.
Ekipi i Guardiolës e shkatërroi Arsenalin falë dy golave të Kevin De Bruyne dhe nga një të John Stones dhe Erling Haalnd, për të ulur diferencën në dy pikë në krye të tabelës së ligës dhe me dy ndeshje më pak të zhvilluara.
City e ka tani në kontroll fatin e tij përpara fundit të sezonit dhe nëse arrin të fitojë shtatë ndeshjet e mbetura, do të kurorëzohet kampion.
Megjithatë, Guardiola beson se gara për titull është larg përfundimit, por “preferon” që situata të jetë në “duart e tyre”.
“Ishte një lojë e rëndësishme, jo vendimtare por e rëndësishme. Luajtëm shumë mirë. E njoh kundërshtarin që luajtëm. Ata janë ende në krye, e di që tingëllon naive kjo që po them, por ne jemi ende prapa”, ka thënë fillimisht Guardiola.
“Ne jemi akoma aty, absolutisht preferoj pozicionin tim sepse tani është në duart tona”.
“Do të më pëlqente që këto dy ndeshje të jenë gjashtë pikë, por ju duhet t’i fitoni ato, por unë e preferoj sepse varet nga ne”, transmeton telegrafi.
“Deri më sot, unë preferoj pozicionin e Arsenalit në Ligën Premier, sepse nëse Arsenali do të na kishte mundur do të ishte në duart e tyre. Por, tani është në duart tona”, përfundoi trajneri i Cityt.
Nëse City arrin të ruajë titullin, atëherë do të jetë triumfi i pestë i Guardiolës në ligë me klubin nga Etihad.