Tjera tekste në listën e DKA-ve, tjera u rekomandojnë shkollat prindërve, dyshime për dallavere

20:20 | 24 Gusht 2024
tjera-tekste-ne-listen-e-dka-ve,-tjera-u-rekomandojne-shkollat-prinderve,-dyshime-per-dallavere

Tash që po afron 1 shtatori e veçse ka filluar blerja e teksteve shkollore nga prindërit, Ministria e Arsimit i ka publikuar të gjitha, kërkesat për tekste shkollore nga DKA-të e të gjitha komunave, e shkollave në veçanti.

Megjithatë një shkollë në Lipjan konkretisht në Gadime, nuk po e përfill kërkesën e DKA-së të paktën sipas publikimeve të të dya palëve.

Shkolla fillore “Zenel Hajdini” ka bërë një publikim në Facebook, ku fton prindërit të pajisen me tekstet e Gjuhës angleze nga Hamilton House, ndërkohë që në publikimin e Ministrisë së Arsimit sipas kërkesës së DKA-së, pikërisht për këtë shkollë figuron shifër librash të gjuhës angleze të gjitha nga Pearson.

Tv Dukagjini ka kontaktuar me shkollën në fjalë për të kuptuar mbi çfarë baze ka ndodhur ky ndryshim.

Të njejtit thonë se kërkesa e tyre ka qenë e njejta që nga fillimi por ata thonë se mundësia është që DKA-ja të ketë bërë ndonjë lëshim teknik.

Por, vetë drejtori i DKA-së në Lipjan, Rasim Hasani i telefonuar nga Dukagjini, ka thënë se as nuk është në dijeni për një problematikë të tillë dhe nuk mund të marr informacione meqë është vikend.

Ndërkohë kjo nuk është shpërfillja e vetëm që është vërejtur mes kërkesave të paraqitura në faqen e Ministrisë dhe në ato kërkesa që po i bëjnë drejtpërdrejt shkollat.

Një gjë e tillë është vërejtur edhe në shkollën “Abdyl Frashëri” në Prizren.

Po ashtu, edhe në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë ka ndodhur një gjë e tillë por që pas intervenimit të ministrisë është rregulluar.

Pa rregullësi janë vrejtur edhe në komunën e Podujevës. Në shkollën “Afrimi dhe Fahriu” në Lluzhan në njoftim të shkollës shihen mospërputhje me kërkesat e DKA-së sa i përket librit të Gjuhës Angleze për klasët nga VI deri të IX.

Komento: