Toka që i bëri ‘’tokë’’ asamblistët e VV-së në Prishtinë

08:08 | 11 Dhjetor 2024
toka-qe-i-beri-‘’toke’’-asamblistet-e-vv-se-ne-prishtine

Kuvendi Komunal i Prishtinës ka qenë kryetema e ditës së hënë, pasi që disa eksponentë të VV-së, Egzon Azemi, Berat Lahu e Gëzim Sveçla, po diskutonin për një skandal që kishte të bënte rreth ndërrimit të pronave në Prishtinën e Re me një pjesë në Badovc.

Dy përfaqësues të VV-së, Egzon Azemi e Gëzim Sveçla, sipas një video të publikuar, shihen teksa i bënin presion asamblistit Lahu, i cili kishte qëndruar në sallë, derisa po votohej buxheti i kryeqytetit për vitin 2025.

E asamblisti Lahu, ishte ai që kishte folur lidhur me çështjen e shumë përfolur, atë të ndërrimit të pronave në Badoc.

Sipas Lahut, i infiltruar në këtë çështje, ishte edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.

“Albin Kurti thirrke në telefon, çone dorën” dhe se “janë vjedhë 50 milionë në emër të Albin Kurtit”. “Dil atje tregona pse na kena nejt qitu”, i thoshte Lahu, asamblistit Sveçla.

Pas saj ka pasur reagim nga VV në Prishtinë, e cila ka demantuar pretendimet e Lahut.

‘’Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra në Prishtinë jo vetëm që distancohet por edhe demanton secilin pretendim të thënë sot nga asambleisti Berat Lahu në video-incizimin e publikuar në media’’, tha VV në reagimin e tyre.

E lidhur me këtë çështje, kanë folur asamblistë e partive politike në kryeqytet, ku partia opozitare po kërkon hetim nga Prokuroria e Shtetit për këtë skandal.

 

Kupina për skandalin e pronave në Badovc: S’di sen unë, nuk e di kush i ka marr e kush i ka keqpërdorë ato

Kryetari i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Fehmi Kupina, për FrontOnline, thotë se nuk ka ide mbi atë që është diskutuar nga asamblistët e VV-së, rreth skandalit të ndërrimit të pronave në Badoc.

”S’kam ide unë për këto punë, as si dëgjoj hiq bile. S’kam ide unë. ja, ja, ja s’muj me thënë unë asgjë, absolut’’ thotë ai.

Kupina, thotë se s’merret me këto gjëra.

‘’Unë s’merrem me 50 milionësha’’, potencoj ai.

Sipas të parit të Kuvendit Komunal të Prishtinës, ai nuk e di se as kush i ka marr e kush i ka keqpërdorë ato para.

‘’As se di kush i ka marr as kush i ka keqpërdor, sen s’di unë” tha ai.

 

PDK: Prokuroria duhet ta hetoj skandalin 20 milionësh, u përfshinë Albin Kurti dhe Përparim Rama

Leutrim Retkoci, asamblist i PDK-së në Komunën e Prishtinës, për FrontOnline, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me çështjen e ndërrimit të pronave në Badovc. Retkoceri ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës se kanë mundësuar këtë ndërrim prone, duke e cilësuar si një skandal të madh që ka ndodhur gjatë shkurtit të këtij viti.

‘’Çështja e pazareve e ndërrimit të pronave në Badovc, është çështje të cilën VV e ka mundësuar me kourum që ka qenë propozim i Përparim Ramës, ku LVV e LDK e kanë mundësu kalimin e kësaj prone’’ thotë ai.

Sipas tij, propozimi për këtë ndërrim prone ka ardhur nga Përparim Rama dhe është mbështetur nga VV dhe LDK, ndërsa ai thekson se PDK-ja ka bojkotuar seancën e miratimit të këtij propozimi për shkak të dëmit të mundshëm që do të i shkaktohej komunës, duke humbur 20 hektarë tokë që do t’i jepeshin një personi të afërt me VV-në dhe Përparim Ramën.

‘’Ai ka qenë një skandal, në shkurt të këtij viti, ku ne nuk kemi marr pjesë në seancë dhe arsyeja ishte dëmi i madh ku 20 hektrarë, do iu merrnin komunës dhe i jepen një personi të afërt me VV-në dhe Përparim Ramën dhe tash po dalin skandalet se aty me të vërtetë’’, shton asamblisti i PDK-së për FrontOnline.

Retkoceri ka kërkuar që ky proces të hetohet nga prokuroria, duke përmendur se ky mund të jetë një pazar i madh, ku përfshihen figura të larta të Qeverisë dhe të Komunës, përfshirë kryeministrin Albin Kurti dhe Përparim Ramën. Ai i bën thirrje prokurorisë që të fillojë hetimet për këtë çështje.

‘’Është një pazar shumë i madh për cilin prokuroria duhet me hetu, prej kryeministrit Kurti që përmendet aty, Përparim Ramës dhe gjithë asamblistëve që kanë qëndru aty’’ u shpreh ai.

 

Asamblisti Lahu refuzon të përgjigjet pas videos të publikuar: S’kam kohë…

FrontOnline, ka provuar të merr një deklaratë nga  asamblisti i VV-së, Berat Lahu. Ky i fundit tha se nuk ka kohë të flas për këtë.

‘’S’kam kohë, jam i zënë, më falni’’ tha shkurt Lahu, i cili më pas bëri një deklaratë sqaruese në Facebook.

“Për ngjarjen e djeshme në Kuvendin komunal, dje pasdite Qendra e VETËVENDOSJE-s! në Prishtinë ka lëshuar një komunikatë që nuk është aspak e denjë për subjektin më të madh në Prishtinë. Lëvizja Vetëvendosje, komunikatat gjithmonë i ka bazuar në fakte përderisa kjo e djeshmja përmbanë vetëm shpifje.” kishte shkruar mes tjerash Lahu.

Komento: