Mijëra kontrolle janë kryer brenda muajit nëntor në ambulancat specialistike në QKUK.
Numri i qytetarëve që kërkojnë shërbime e që vijnë nga të gjitha qytetet është shumë i lartë, gjë që ka shkaktuar edhe tollovi.
Caktimi i terminit për 16 klinika bëhet përmes pranisë fizike të pacientëve. Vetëm në dy klinika mund të bëhen termine me telefon, por edhe kjo formë po përcillet me shumë probleme.
“Kam marr numër dhe po pres tash e 1 orë por me numra po shkon shumë mirë”, deklaruan qytetarët.
Stafi shëndetësor shpesh detyrohet të bëjë zgjidhje për pacientët që nuk kanë fare termin, e në raste të caktuara shërbimin do të mund ta kryenin në mjekësi familjare apo spitale rajonale.
“Puna shkon me rregull por ka pacientë që vijnë edhe pa termine dhe kjo është shumë e shpeshtë dhe na bën pak telashe, sepse duhet të sforcohemi me numrin e madh. Ka raste kur mundet me i trajtuar edhe mjekësia familjare apo shërbimi sekondar”, tha Merita Emini, drejtoreshë e Klinikës së Endokrinologjisë.
Qytetarët, përveç udhëzimit të mjekut, duhet të bëjnë terminin duke u lajmëruar në sportelet e ambulancave. Ndonëse ambulanca specialistike e ORL-së dhe ajo e Oftalmologjisë kanë ofruar mundësi që termini të bëhet përmes telefonit, kjo metodë nuk ka rezultuar efikase.
Ndërkohë, çrregullim të punës shkaktojnë pacientët që hyjnë në kategorinë e atyre që trajtohen me prioritet, ndër ta edhe të burgosurit.