Top Channel, TV Klan, dhe kanalet shqip largohen nga platforma “Kujtesa” – kabllori “pushtohet” nga kanalet serbe dhe ato turke

20:21 | 02 Janar 2024

Nga 1 janari, sinjali i kanaleve shqiptare Top Channel, TV Klan dhe i atyre të “Digitalb” është ndërprerë së transmetuari, pa asnjë paralajmërim, përmes platformës kabllore në Kosovë, “Kujtesa”.

Në fakt, kanalet pjesa më e madhe e kanaleve të “Digitalb” ka kohë që nuk janë transmetuar në këtë platformë, pa dhënë shpjegim për klientët e tyre, ndonëse kabllori kosovar i promovonte kanalet si pjesë e saj. E edhe pjesa tjetër e kanaleve të platformës më të madhe shqiptare “Digitalb”, sikurse edhe kanalet Top Channel dhe TV Klan nga e hëna nuk janë më të listuara në “Kujtesa”.

Ndërkohë në platformën “Kujtesa”, derisa dita-ditës po largohen pa paralajmërime kanalet kryesore shqiptare – shumë të ndjekura edhe në Kosovë – përfshirë ato kombëtare si Top Channel e TV Klan, ato kohë pas kohe janë duke u zëvendësuar me kanale serbe dhe turke të cilat janë në numër të konsiderueshëm të listuara në këtë platformë, raporton Reporteri.

Madje, platforma “Kujtesa” e ka pjesë të listës së kanaleve të saj edhe televizionin shtetëror serb, RTS, që njihet si platformë mjaftë aktive në propagandën kundër shtetit të pavarur të Kosovës.

Ndryshe, para më pak se një muaji, “Kujtesa” në treg kishte nxjerrë ofertën e fundit për abonime 1 vjeçare, në të cilat pjesë të platformës “i shiste” edhe kanalet “Digitalb”. Mbetet të shihet nëse kjo platformë do t’iu mundësojë klientëve të saj shkëputjen e kontratave, pas largimit të këtyre kanaleve pak ditë pasi janë abonuar për 1 vit.

Komento: