Tradhtar nga Rankoviçi, tradhtar nga Komuna e Prishtinës

18:16 | 02 Tetor 2021

Komuna e Prishtinës dhe gjykatat në Kosovë akoma po i njohin vendimet e ish-udhëheqësit famëkeq, Aleksandar Rankoviq, i cili për disa vite ushtroi gjenocid në Kosovë.

Familjet Llapashtica dhe Berisha nga Prishtina që mbi dhjetë vite po kërkojnë të drejtën e tyre që të jenë pronarë të ligjshëm të 13 parcelave në Matiqan, të cilat vite më parë u ishin marrë dhunshëm nga pushteti serb dhe ishin regjistruar në emrin e Komunës së Prishtinas, pasi kryefamiljari i tyre ishte shpallur ‘armik i popullit’.

Ata kanë arritur të sigurojnë dëshmitë se tokat u ishin marrë dhunshëm nga ish regjimi serb i vendosur në Kosovë në vitin 1946 dhe u ishin dhuruar fqinjëve të tyre, shkruan lajmi.net.

Tashmë, në dy prej këtyre parcelave, Komuna e Prishtinës ka hyrë në pazar më kompaninë “Tregtia” për ndërtimin e kompleksit të madh infrastrukturor, i njohur si “Kodrina”, meqenëse në këtë hapësirë parashikohet ndërtimi i kompleksit banesor.

Familjet Llapashtica dhe Berisha kanë bërë padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë për vendosjen e masës së sigurisë, që të mos ndërtohet në to, derisa gjykata të merr vendim për vërtetimin e të drejtës së pronës. Në seancën e fundit, gjykata nuk mori vendim, por e shtyri seancën për datë 26 tetor 2021. Ndërsa, komuna e Prishtinës është e vendosur që toka është e saj, meqë kështu është regjistruar në tapitë e Komunës në vitin 1971 mbi bazën e aerofotografimit -incizimit të pronave. Nga ky incizim e gjithë toka ishte ndarë në 13 parcela.

Me datë 24.02. 2009, familja Llapshtica ka bërë padi në Gjykatën komunale në Prishtinë për kthimin e pronave, por procesi kishte ngecur për shkak të mungesës së dokumentacionit. Më pas paditë e reja janë bërë para dy viteve.

Lajmi.net ka pritur disa javë nga Komuna e Prishtinës për të marrë një sqarim lidhur më këto prona, por komuna nuk ka kthyer përgjigje. Nuk kanë kthyer përgjigje as përfaqësuesit e kompanisë “Tregtia”.

Historia tragjike e konfiskimit të pronës së familjes Llapashtica

Lajmi.net ka biseduar me anëtarët e familjes Llapashtica lidhur me historinë e konfiskimit të tokës.

“Në një magje të vjeshtës së vitit 1912, në dyert e familjes tonë kishte hyrë ushtria serbe. Pas maltretimeve dhe rrahjes së krejt familjes, aty ishin ndarë burrat nga gratë. 13 burrat e familjes nisen për në qytetin e Prishtinës, me arsyetimin për t’i marr në pyetje dhe gratë e fëmijët lihen të lirë. I vetmi mashkull që mbetet në shtëpi ishte Idriz Sinan Llapashtica -11 vjeçar”, nis rrëfimin e tij, Adnan Llapashtica, një anëtar i kësaj familje.

Tutje, ai rrëfen se pas dy ditë pritje, familja kishte marr lajmin e kobshëm se ishin vrarë të 13 meshkujt e familjes në përroin e kryeqytetit, mbi të cilin tash është e ndërtuar rruga B.

“Gjatë atyre viteve të pushtimit të Kosovës nga Serbia, Prishtina, Matiqani, Zllatari fillojnë të mbushën me koloni serbe dhe malazeze. Pjesa e mbijetuar, gratë dhe vajzat me Idrizin e vogël të mbijetuar, frikësohen të qëndrojnë në shtëpi dhe ikin tek të afërmit në mëhallën e Muhaxherëve në qytet. Aty Idrizi rritet dhe më pas martohet, nga e cila martesë lind katër djem, Eminin, Hamitin, Hasanin dhe Sylejmanin.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore ushtria shqiptare e administrimin e Kosovën, dhe njëri nga djemtë e Idrizit, Emin Llapashtica i bashkohet vullnetarisht ushtrisë shqiptare, ku kishte shërbyer për tri vite. Pas humbjes së luftës nga Gjermanisë, Kosova bije nën kontrollin e komunistëve serb me 1945. Serbët e Matiqanit e kishin lajmëruar pushtetin se Emin Llapashtica, djali i Idrizit kishte qenë pjesë e ushtrisë shqiptare. Emini ishte zënë dhe ishte dënuar me pushkatim, ndërsa babait të tij, Idrizit i konfiskohen të gjitha pronat dhe shpallet armik i popullit. Por. pas disa kohësh atij i zbritet dënimi në 10 vite burg, pastaj shpallet amnistia për të burgosurit e luftës nga Tito, ku Eminit i falet jeta dhe lirohet”, tregon tutje Adnani historinë familjare.

Sipas familjes Llapashtica, më datën 6 Mars 1947, Gjykata Rajonale Agrare, me nr.30, tokat e Idrizit në vendin quajtur Sllanishtë dhe livashet ja dhuroi fqinjit të tyre, Bajram Abaz Ajeti nga Matiqani. Ai i punoi disa vite dhe më pas ua kishte kthyer përsëri.

“Edhe pse pronat, zyrtarisht figuronin në emrin e Komunës së Prishtinës, Idrizi arat ua kishte ndarë djemve të tij, siç vërehen edhe në skicat e viteve të 70, në dokumentacionin e sjell nga Serbia, tash së fundmi, ku ata regjistrohen nëpër parcela si uzurpator. Megjithëkëtë djemtë e Idrizit, i shfrytëzonin ato, duke i punuar, dhe në disa raste i kanë shitur, apo ndërruar me pronarë të tjerë, siç është edhe ndërrimi në mes Hamit Idriza Llapashtices dhe Imer Mehmet Berishës me datë 10.07.1970, ku parcelat 548-0 dhe 549-0, i ndërron me 10 ari në parcelën nr 2233 velika revonina gnjilanski breg. Po ashtu, Hasan Idriz Llapashtica i ndërron tokat me Xhemë Mehmet Berisha, parcelat 520-0 dhe 522-0 me 10 ari ne parcelën 2233 velika rovina gnjilamski breg. I gjithë ky ndërrim ishte bërë më shpresë që një ditë tokat do të regjistroheshin në emrin e tyre”, thotë tutje Adanin Llapashtica, i cili është nipi i Eminit.

Ai tregon se, pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, shteti serb i kishte marrë dokumentet dhe historianët nga komuna, por në arkivin e qytetit të Prishtinës janë gjetur disa nga vendimet e konfiskimit të këtyre pronave.

Në shumicën e parcelave vazhdojnë akoma t’i posedojnë shumë pasardhës të familjes Llapshtica, si dhe familjeve të pasardhësve, që i ndërruan pronat, përpos parcelës 548 -0 dhe parcelës 449-0 që u përfshinë nga Komuna e Prishtinës në Planin Rregullues për blloqet “B17”, “B18”, “B19”, “B20” të lagjes Mati1” në Prishtinë 2017- 2025. Konkretisht këto dy parcela u përfshinë në projktin e quajtur “Kodrina” që po ndërtohet nga kompania “Tregtia”. Në këto dy parcela ka filluar mihja e dheut për ndërtim të objekteve.

Sipas te dhënave te familjes Llapashtica, një pjesë e ngastrës 555 është tjetërsuar dhe nuk është tanimë ne emër te komunës se Prishtinës, e cila ka qenë e ndarë në tri pjesë.

Madje Sylejman Llapashtica është njëri nga katër djemtë e Idriz Llapashticës, pasi dy nga ta, Emini dhe një tjetër kanë vdekur dhe njëri ndodhët jashtë Kosovës. Ai e ka humbur shumicën e zërit si pasojë e një operimi, por dëgjohet duke treguar se në tokat që komuna i ka në emrin vet janë gjurmët e familjes së tyre.

“Këto ka qenë pusi ynë, këtë e dinë të gjithë banorët më të vjetër këndej, tash është mbuluar me dhe. Me dokumente parcela është në emrin e Komunës, por këto toka gjithmonë kanë qenë tonat. Aty pak më lartë ndodhën rrënojat e shtëpisë së vjetër. Disa burra na janë pushkatuar edhe në masakrën e vitit 1945 që ka ndodhur. Madje, ekzistojnë dyshimet që njëri nga të vrarët ndodhët në këtë pusë të mbuluar. Kjo duhët të vërtetohët nga organet e shtetit tonë”, tregon Sylejmani.

(Vendi ku pretendohet se ka qene pusi i familjes)

“Kompania “Tregtia” na hyri në parcela”

Derisa këto toka që disa vite i punon familja Llapashtica dhe Berisha, meqë këta të fundit kishin bërë ndërrim tokash në vitet e 70’ta, komuna e Prishtinës u interesua për dy parcelat pak vite më parë.

Ngastrat kad. 548-0 dhe 549-0 u përfshinë nga Komuna e Prishtinës në planin rregullues për blloqet “b17”, b18”,”b19”,”b20” te lagjes Mati 1 në Prishtine 2017-2025 në projektin e quajtur Kodrina në maj të vitit 2017.

Mentor Berisha, qytetar nga Prishtina, i cili ka në posedim dy parcela të tokës që i kanë blerë nga familja Llapashtica, tregon se aktualisht po përballët në gjykatë me komunën dhe kompaninë “Tregtia” për shkak se kjo e fundit ha hapur një gropë të madhe në parcelat e tyre.

“Këto dy parcela janë tonat, meqë i kemi blerë prej familjes Llapashtica. Kompania Tregtia në vitin 2019 filloi edhe mihjen e dheut për fillimin e ndërtimit të banesave edhe ne këto dy parcela, pasi komuna ua ka dhënë për implementimin e projektit, ndërkohë komuna si kompensim ka marrë banesa për rastet sociale, ose ka bërë ndërrimi tokash. Ne kemi dal në teren dhe i kemi përzënë nga tokat. Kemi kërkuar nga gjykata të vendos masë ndalese për ndërtuesin deri sa të zgjidhet statusi i pronave në kontekst. Me date 30.10.2019 kemi bërë propozim për caktimin e masës se sigurisë ne këto dy parcela ku me datën 21.01.2020 refuzohet si e pabazuar

Me date 29.06.2020 Gjykata e Apelit e Kosovës mori aktvendim qe te prishet aktvendimi i gjykatës themelore dhe e kthen ne rigjykim nga fillimi. Tash, gjykata e ka caktuar ekspertin e vetë për të parë historikun e pronave dhe ai ka vërtetuar që pronat kanë qenë të faljes Llapashtica”, thotë për lajmi.net, Mentor Berisha.

(Mentor Berisha, tregon se si kompania “Tregtia” hapi gropën në parcelën e tyre)

Berisha tha se së fundmi kanë gjetur edhe disa dokumente në arkivin e Prishtinës, të cilat i takojnë viteve të 20-ta. “Së fundmi i kemi gjetur edhe këto dokumente në arkivin e Prishtinës, në të cilat shihet që ato 13 parcela janë në emrin e Idriz Sinanit, por që në atë kohë kanë qenë si një tokë e përbashkët, por figurojnë hapësira e tokës dhe vendndodhja. Për çdo qartësim i kemi derguar për përkthim dhe në këto ditë do na vije përkthimi”, tha Berisha.

(Dokumentet e gjetura në arkivin e Prishtinës, ku pretendohet se ekziston e gjithë toka në emrin e Idriz Sinanit)

Konfiskimi i pronave të familjes Llapashtica nga Gjykata e rrethit në Prishtinë

Lajmi.net e posedon vendimin e konfiskimit të pronave që u ishte bërë familjes Llapashtica, konkretisht Idriz Llapashticës, i njohur si Idriz Sinani, pasi e kishte shpallur ‘armik të popullit’, djalin e Idrizit, Sinanin.

Aty thuhet se: “Gjykata e rrethit në Prishtinë kfc. Nr. 90/46 -Në emër të popullit:

Gjykata e rrethit në Prishtinë, me kolegjin e vet gjykues në përbërje prej kryetarit të kolegjit Radovan Bullajiq, anëtareve të kolegjit, pronave Vojsillav Moraçiq dhe Fetije Bajraktari, sipas lëndës konfiskim i pasurisë të armikut popullor, Idriz Sinani nga fshati Matiqan, në bazë të rregullave të ligjit mbi konfiskim merr:

Vendim:

Të konfiskohet pasuria e armikut të popullit Sinan Idrizi, nga fshati Matiqan dhe atë:

Patundshmëritë
Arat në vendin e quajtur Sllanishtë, në sipërfaqe prej rreth 1, 25 ha, e cila kufizohet nga lindja deri te pronari, nga perëndimi deri te arat e pronarit, nga jugu deri te ara e Trajko Asiq dhe nga veriu deri te ara Miladin Jovanoviq;
Vlera: 7.8800 dinar

Ara në vendin e quajtur “Livada”, në Sllanishtë në sipërfaqe prej rreth 1, 10 ha, e cila kufizohet nga lindja deri te rruga e fshatit, nga veriu deri te rruga e pronarit dhe nga jugu deri te ara Miladin Jovanoviq;

Vlera: 45.00 dinarë;

Nga patundshmëria nuk kishte çka të konfiskohej.

Pasuria e konfiskuar kalon në pronësi të shtetit dhe urdhërohet regjistrimi i të njëjës në librin e tapive.

Familjes së të gjykuarit prej 10 anëtarëve dhe atë, bashkëshortja, vajza, dy rejat dhe 4 nipave u lejohet si minimum për mbajtjen e rreth 6 ha tokës së punuar dhe livadhe.

Arsyetim

Në bazë të propozimit të Këshillit popullor të rrethit në Prishtinë, në kuptim të nenit 28 të Ligjit mbi konfiskimin , Gjykata i ndërhynë konfiskimit të pasurisë të armikut të popullit, Sinan Idrizi, nga fshati Matiqan. Andaj në bazë të të dhënave të mbledhura dhe Ligjit mbi konfiskimin, vendosi si në dispozitat.

U vendos në Gjykatën Popullore të rrethit, më datë 18.II.1946”.

(Vendimi i Gjykatës së rrethit për konfiskim të pronave -1945)

Vendimin e marrë nga Gjykata e Rrethit në Prishtinë e kishte konfirmuar edhe Gjykata Rajonale Agrare për Kosmet nr. 30, 6.II.47:

“Gjykata Rajonale Agrare Kosovë e Metohi, në përbërje prej kryetarit të gjykatës Nika Strugar dhe gjyqtarëve Xhevat Pallaska dhe Shefki Ajdini, në senacën e vetë të datës 07.02. 1947, e mori në shqyrtim vendimin e Këshillit popullor vendor në Graçanicë për caktimin e subjektit agrarë në posedim të pronarit të më parshim, Idriz Sinani, e pastaj e gjen se:

Këshilli popullor vendor ka vepruar drejt kur për subjektin agrar në posedimin e ish pronarit të lartcekur e ka shpallur Bajram Abaz Ajetin, nga Matiçani dhe 7 anëtarët e familjes, i cili ka tokë personale: Se Këshilli popullor vendor ka vepruar drejt kur ua ka ndarë, sipërfaqen prej 1.25 ha dhe atë:

Arën e quajtur “Sllanishtë” prej 1.25 ha;

Livadhin prej … ha;

Pemishten prej … ha, pasi që bujku i përmendur është me tokë të Pamjaftueshme sepse ka vetëm 1.25 ha tokë të vet personale.
Vendim

Fuqizohet në tersi vendimi i Këshillit popullor vendor ën Graçanicë, më të cilin është shpallur subjekt agra Bajram Ajet Abazi nga Matiqani.

Kundër këtij vendimi nuk ka vend për ankesë

Vdekje Fashizmi –Liri popillut

Kryetari i gjykatës: Niko Stugar”.

(Vendimi i Gjykatës Rajonale Agrare -1947)

Sipas dokumentacioneve që i posedon lajmi.net, në vitin 1953, Emin Llapashtica kishte bërë kërkesë në Këshillin Ekzekutiv federativ në Beograd për falje dhe kthimin e tokave:

“Këshilli Ekzekutiv federativ –Beograd

Propozim për falje

Me vendimin e gjykatës së rrethit në Prishtinë KFC -90/45 më është konfiskuar pasuria Ara e quajtur Sllansihtë, me propozimin e këshillit popull të rrethit të Graqanicës si armikut të popullit.

Me vendimin në fjalë i pa kënaqur, gjejë se është i paligjshëm, por pa marrë parasysh në ligjshmëri ose paligjshmëri të këtij vendimi, vendosa të u drejtohem për falje. Por, për çdo rast dëshirojë të paraqes gjendjen faktike.

Në vitin 1946 kam qenë i hedhur në pyll, me drejtë nuk kamë qenë duke u kthyer nga pylli. Si të tillë, mua Këshilli popullor i rrethit më shplli si armik i popullit, andaj i propozoi Gjykatës popullore që të më konfiskohet pasuria e lartcekur, e cila gjendet në fshatin Matiqan.

Më 1947 i jam dorzuar pushtetit popullor, dhe nga ana e gjykatës disiplinore ushtarake në Prishtinë, me aktgjykim ne P-nr 134/47 jam dënuar me 10 vjet burg, pa masën e konfiskimit të pasurisë. Pas shkuarjes së në vuajtje të dënimit më burg, unë kamë qenë i amnistuar. Tani ajm i lirë, por pa pasuri, kështu po ngrihem nga pamëshira në ferr. Tani jam qytetar i sjellshëm dhe shembullor i rrethit tim. Por paqi që varfëria më shtypë, vendosa të i drejtohem titullit më propozim që të më falet dënimi me konfiskimin e pasurisë.

I bindur se do të më dilini në përkrahë, mbetem më shpresë.

Lutësi, Emin Llapashtica nga Prishtina më 7 dhjetor 1953”, thuhet në apelin e Emin Llpashticës, i cili nuk ishte marrë parasysh.

(Propozimi për falje i Emin Llapashticës -1953)

Eksperti i Gjykatës konfirmon se toka ku komuna ia dha “Tregtisë” ishte e Llapashticëve.

Me aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë C. Nr. 3224/19, Qemajl Hoda është caktuar ekspert i gjeodezisë në çështjen juridike për vërtetimin e të drejtës së pronësisë të iniciuar në cilësi të paditësve- propozuesve të masës së sigurimit.

Ndonëse familja Llapashtica pretendon se janë gjithsej 13 ngastra që i janë marrë nga Komuna, eksperti i gjykatës është marrë vetëm më dy që kanë të bëjnë me punimet ku po zhvillohen punimet nga “Tregtia”.

Lajmi.net e posedon raportin e ekspertizës që ka bërë Hoda.

Pas identifikimit të ngastrës lëndore në vend të ngjarjes dhe pas verifikimit të dokumentacionit, sipas evidencës në laboratoratin kadastral, eksperti ka konstatuar se kontesti ka të bëjë me ngastrat: 548-0, parcelë, lloj i pronës: shoqërore në sipërfaqe S 4295 m2 e cila gjendet në vendin “Njëlmesina” në Matiqan, dhe 549-0, parcelë, pronë shoqërore në sipërfaqe S 1519 m2. Të cilat figurojnë në emrin e Komunës së Prishtinës.

“Gjatë punimeve të mihjes së dheut e paditura NTN “Tregtia”, ka kryer mihje të dheut edhe në ngastrën nr 548-0 dhe 549-0. E paditura, Komuna e Prishtinës, sipas evidencës kadastrale – evidentohet poseduese e ngastrave nr. 548-0 dhe 549-0 Matiqan. Me këta numra të ngastrave e paditura, Komuna e Prishtinës evidentohet prej matjeve shtetërore aerofotogrametrike të vitit 1972, shiqimi publik i të dhënave nga tereni është kryer në vitin 1978 dhe në vitin 1980. Këto matje kanë filluar se aplikuari, të cilat matje edhe tani janë të aplikueshme. Se paraardhësit e paditësve i kanë punuar ngastrat lëndore vërehet edhe nga fotoskica e aeroinçizimit të vitit 1972 ku është regjistruar emri i paraardhësit të paditësit –propozueses së masës së sigurimit, tani i ndjeri Hamit Idriz Llapashtica nga Prishtina”, thuhet në raport.

Sipas raportit të ekspertit, në këtë fotoskicë të aueroincizimit të vitit 1972, si dhe në fletën regjistruese nr 562 të datës 16.08. 1978, e paditura është regjistruar si pronare, ndërsa paraardhësi është regjistruar në kolonë si uzurpator.

“Në shkresën e lëndës palët kanë prezantuar edhe Vendimin e Gjykatës së Rrethit në Prishtinë, të datës 10.02. 1946, sipas të cilit, tani të ndjerit Idriz (Sinan) Llapashtica nga Matiqani, i është konfiskuar pasuria në territorin (atarin) e Matiçanit, pasi që është shpallur armik i popullit.

Në këtë vendim të Gjykatës së Rrethit në Prishtinë, janë përshkruar edhe palujtshmeritë të cilat janë konfiskuar, por vetëm vendet e quajtura dhe emrat e pronave me të cilët kufizohen, por pa cekur numrat e ngastrave kadastrale. Nga ky Vendim i Gjykatës së Rrethit vërehet se edhe në atë kohë- 1946, vendi është quajtur “Slanishtë”, dhe tani sipas evidences kadastrale, e po ashtu edhe kulturat arë dhe livadh përputhen, ndërsa në sipërfaqe ka ndryshime nga se në atë kohë, sipërfaqet e vlerësuar përafërsisht e që vërehen edhe në vendimin e Gjykatës, në vlerësimin e sipërfaqes ceket afërisht (oko)”, thuhet në raport.

Raporti përfundon më konkludimet se “Sipas shënimeve në elaboratin kadastral lidhur me historianin e ngastre nr 548-0 dhe 549-0, para vitit 1999, në programin e quajtur BORMEN, nga të dhënat që disponon Drejtoria e Kadastritnë Prishtinë, kanë qenë të evidentuara në pronësi të Komunës së Prishtinës, por këto të dhëna janë vetëm nga sistemi elektronik, ndërsa të dhënat tjerat para vitit 1999, Drejtoria e Kadastrit në Prishtinë, nuk ka për arsyeje se ato gjenden në Serbi. Lidhur me historianin e këtyre dy ngastrave, drejtoria e Kadastrit në Prishtinë, shënime tjera nuk disponon”, përfundon raporti që është nënshkruar më datë 26.05.2021 nga eksperti i gjeodezisë, Qemajl Hoda. (Dokumneti_compressed)

Gjykata Themelore në Prishtinë pritët që të mblidhet më datë 26 tetor për të shqyrtuar propozimin e familjes Berisha për vendosjen e masës së sigurisë së ndalesës së punimeve deri në definimin e statusit të plotë të pronave.

Komento: