Ndërmarrja “Trafiku Urban” paralajmëron masa për shoferin që kërcënoi me armë.
Ndërmarrja Publike Komunale e Trafikut Urban në Prishtinë e ka shprehur shqetësimin lidhur me rastin e njërit prej shoferëve të saj që kërcënoi me armë një ngasës të veturës.
“Ndërmarrja Publike Komunale e Trafikut Urban Sh.A në Prishtinë ka përcjellë me shqetësim lajmin lidhur me rastin e ndodhur dje më 15 janar 2023, ku sipas njoftimit të Policisë së Kosovës dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje në trafik, ngasësi i një autobusi me armë zjarri ka kanosur palën tjetër (ngasësin e një veture)”, thuhet në komunikatën e kësaj ndërmarrjeje.
“Policia e Kosovës njoftoi se lidhur me këtë rast është sekuestruar një armë zjarri dhe në stacion policor janë shoqëruar palët e përfshira”.
Ata kanë paralajmëruar se do t’i marrin masat e duhura deri në një vendim tjetër nga organet e drejtësisë.
“Trafiku Urban lidhur me rastin dhe punonjësit e përfshirë në këtë incident do të marrë masat e parapara sipas legjislacionit përkatës në fuqi dhe me rregulloren e brendshme të ndërmarrjes deri në një vendim tjetër nga organet e drejtësisë”.