
Një ngjarje e rëndë dhe e dhimbshme ka ndodhur të martën, më 22 shtator, në Gjilan, ku një 34-vjeçar është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Ardian Matoshin, 34-vjeçar, i cili është gjetur nga nëna e tij, i shtrirë në shtratin e gjumit, në njërën prej dhomave të shtëpisë në rrugën “Haki Myderizi”.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, rreth orës 15:30 është pranuar njoftimi për rastin, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante, hetuesit rajonalë, krimteknika, Prokurorja e Shtetit, ekipi mjekësor emergjent dhe hetuesit e Institutit të Mjekësisë Ligjore.
Nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e 34-vjeçarit, ndërsa më pas është bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes dhe janë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.
Sipas të dhënave fillestare dhe ekzaminimit të bërë në vendngjarje, nuk ka elemente që deri në këtë fazë të krijojnë dyshim se vdekja ka qenë e dhunshme.
Megjithatë, burimet e Sinjalit bëjnë me dije se, duke marrë parasysh informacionet e mbledhura lidhur me të kaluarën e viktimës, hetuesit po shqyrtojnë edhe mundësinë që ai gjatë natës ose në orët e hershme të mëngjesit të ketë përdorur ndonjë substancë të dyshuar narkotike, e cila mund t’ia ketë përkeqësuar gjendjen shëndetësore.
Në këtë fazë, megjithatë, nuk është konstatuar se vdekja ka ardhur nga mbidoza apo nga përdorimi i ndonjë substance të caktuar. Shkaku i saktë i vdekjes pritet të përcaktohet pas ekzaminimeve mjekoligjore.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i Ardian Matoshit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave do të vazhdojnë.