Trainkos rrit pagat bazë dhe shujtën ditore për punëtorët

18:26 | 01 Nëntor 2025
Trainkos rrit pagat bazë dhe shujtën ditore për punëtorët

Punonjësit e ndërmarrjes publike HK-Trainkos Sh.A. do të kenë rritje të pagës bazë dhe pagesë shtesë për shujtë ditore, pas miratimit të kërkesës së menaxhmentit nga Bordi i Drejtorëve, në mbledhjen e mbajtur më 30 shtator 2025.

Sipas vendimit nr. I/120, punëtorëve do t’u rritet paga bazë me 30 euro, ndërsa për çdo ditë pune të realizuar do të marrin 2.5 euro shujtë ditore, që në total arrin në 85 euro me fondin e plotë të orëve të punës. Zbatimi i vendimit ka hyrë në fuqi më 1 tetor 2025, dhe tashmë është reflektuar në llogaritë bankare të punonjësve, ka deklaruar kryetari i Sindikatës së Hekurudhave “Trainkos”, Florim Gjyrevci.

Sipas tij kjo rritje “nuk është meritore, por ka karakter social”, pasi në ndërmarrje nuk ka pasur ngritje pagash për afro 15 vjet. Menaxhmenti thekson se pavarësisht gjendjes së rënduar financiare të trashëguar, është arritur të kursehen mjetet dhe të ruhet operimi i trenave.

“Që nga prilli i vitit 2023 kemi ulur shpenzimet me 23.86%, apo për 433 mijë euro, duke ruajtur të njëjtin volum pune dhe staf. Janë shuar mbi 40 pozita të panevojshme, janë ndaluar privilegje si përdorimi privat i veturave dhe janë ndërprerë kontrata të dëmshme”, thuhet në shkresën e nënshkruar nga kryeshefi ekzekutiv Agron Statovci.

Në komunikatë potencohet se kjo rritje është në përputhje me politikat e Qeverisë së Kosovës për përmirësimin e mirëqenies së punonjësve dhe vjen si përgjigje ndaj inflacionit global.

Trainkos apelon për kujdes të vazhdueshëm në shpenzime, përfshirë energjinë, ujin dhe materialet administrative, si dhe për funksionim sa më efikas të trenave. Ndërmarrja gjithashtu ka bërë të ditur se aktivitetet e saj janë ndikuar nga projekti për rehabilitimin e linjës 10, duke shpresuar që përfundimi i tij do të mundësojë zgjerimin e shërbimeve dhe rritjen e mirëqenies së stafit.

Komento: