Ditë më parë u raportua se Rada Trajkoviq është ndalur nga polica serbe.
Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të serbëve të Kosovës, Rada Trajkoviq ka njoftuar se “arsyeja misterioze” e ndalimit të saj në aeroportin “Nikola Tesla” në Beograd ka qenë se nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq ka ngritur padi penale kundër saj.
Sipas Trajkoviq, padia është ngritur nga dikush që është nën sanksionet amerikane.
“Më penguan të largohesha nga vendi për shkak të një padie të ngritur nga një person që është nën sanksionet e Thesarit amerikan. Ai është i lirë në këtë vend, unë nuk jam”, ka thënë Trajkoviq në profilin e saj në Twitter.
Në një njoftim të mëpasshëm, ajo kishte thënë është ndaluar sipas stilit sovjetik.
“Nuk m’u lejua largimi nga vendi, në stilin e vërtetë sovjetik. Arsyeja: jam thirrur të hënën në Gjykatën e Tretë Themelore për të dhënë deklaratë në ndonjë proces. Në mënyrë të kundërligjshme nuk më është dhënë asnjë informacion se për çfarë bëhet fjalë në këtë proces misterioz. Maltretimi po vazhdon…”, ka shkruar ajo.
Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, njihet si kundërshtare e regjimit aktual në Serbi të drejtuar nga presidenti Aleksandar Vuçiq.
SHBA-ja kishte vendosur sanksione ndaj një grupi të krimit të organizuar që vepron në veri të Kosovës, në krye të së cilit është Zvonko Veselinoviq.
Sipas Zyrës së Kontrollit për Pasuritë e Huaja të Departamentit të Thesarit (OFAC), përveç Veselinoviq, janë edhe i vëllai Zharko Veselinoviq, pastaj Zhelko Bojiq, Milan Mihajloviq, Sinisha Nedeljkoviq, Radovan Radiq, Milan Radisavleviq, Milojko Radisavleviq, Milan Radoiçiq, Marko Rosiq, Radule Steviq dhe Milivoje Vuloviq.
Thesari, në arsyetimin e vendimit, ka theksuar se ky grup ka qenë i përfshirë në skema të mëdha të ryshfetit që lejonte lehtësimin e trafikimit të paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve.