Deschamps nuk po mendon për rikthimin e Benzemas te Franca.
Didier Deschamps nuk po mendon rreth rikthimit të Karim Benzemas te Franca për ndeshjet e radhës në Kupën e Botës “Katar 2022”.
Sulmuesi i Real Madridit u përfshi në listën e “Gjelave” për këtë turne, por nuk ia doli të rikuperohej me kohë dhe u largua nga grumbullimi, transmeton Gazeta Express.
Megjithatë, mediat spanjolle së fundmi raportuan se mjekët francezë e ekzagjeruan shkallën e lëndimit të Benzemas dhe se sulmuesi në fakt mund të ishte i aftë për të luajtur në Kupën e Botës.
“RMC Sport” e Francës konfirmoi se Benzema teorikisht mund t’i bashkohet kombëtaren për pjesën tjetër të turneut, duke marrë parasysh se emri tij është ende në listë pasi Deschamps nuk vendosi ta zëvendësoj atë me një futbollist tjetër.
Megjithatë, vendimi përfundimtar i takon Benzemas dhe Deschampsit, teksa ky i fundit ka treguar se nuk po mendon për rikthimin e fituesit të “Topit të Artë”.
“Nuk është diçka që po më pushton mendjen. Nuk e di kush po thotë çfarë dhe si. Ju e dini situatën dhe kohën që ai duhet të shërohet. Unë fola me Benzeman pasi ai u largua nga ne, por nuk e di se ku po shkoni me pyetjen tuaj. Unë kam 24 lojtarë këtu dhe jam duke menduar për ta. Do t’ju lë të flisni, të debatoni dhe të imagjinoni, por nuk do të komentoj gjëra që nuk kanë të bëjnë me punën tonë të përditshme”, tha përzgjedhësi francez.
Pavarësisht nëse Karim Benzema kthehet apo jo, ai do të marrë një medalje nëse Franca e siguron një të tillë në Katar.