Inzaghi: Ndeshja e dytë kundër Milanit do të jetë një nga ndeshjet më të rëndësishme në historinë e klubit.
Simone Inzaghi ka nënvizuar rëndësinë e ndeshjes së dytë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Milanit, duke thënë se do të jetë një nga ndeshjet më të rëndësishme në historinë e klubit.
Interi ka një avantazh për këtë ndeshje, pasi në gjysmëfinalen e parë triumfuan me rezultatin 2:0, shkruan Gazeta Express.
Duke folur sot në konferencën e tij për shtyp para kësaj ndeshje, Inzaghi nuk e mohoi rëndësinë e derbit ndaj rivalit lokal, por në të njëjtën kohë këmbënguli që skuadra e tij po përgatitet për përballjen në të njëjtën mënyrë që do të bënte për çdo ndeshje tjetër.
“Si trajner e trajtoj çdo lojë në të njëjtën mënyrë. Nesër e dimë se është një nga ndeshjet më të rëndësishme në historinë e Interit. Nesër e dimë se kemi një avantazh të merituar, por nuk do të na duhet vetëm ta menaxhojmë atë, ne do të duhet të luajmë në mënyrën e Interit, duke e ditur se kemi një ekip të fortë përpara”, tha fillimisht ai.
Inzaghi u pyet gjithashtu nëse ai e kishte parashikuar ndonjëherë të ishte në prag të finales së Ligës së Kampionëve, pasi “Nerazzurrët” ishin në një grup me Bayern Munichi dhe Barcelonën.
“Kishte pak zhgënjim kur shorti u hodh në gusht, ne nuk kishim pasur shumë fat, por në të njëjtën kohë ajo që i thashë stafit tim dhe lojtarëve në atë kohë është se edhe Barça dhe Bayerni nuk ishin të lumtur. Nesër do të jetë një hap i rëndësishëm. Nesër nuk kam asnjë dyshim, tifozë kanë qenë gjithmonë me ne në kohët e këqija dhe të mira”, tha trajneri italian.
Një gazetar sugjeroi që Inzaghit t’i jepet më shumë respekt për drejtimin e Interit në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, si dhe finale të Kupës së Italisë.
“Faleminderit”, u përgjigj ai, para se të vazhdonte: “Për fat të mirë unë dhe ekipi im lexojmë dhe dëgjojmë shumë pak, por di gjithçka që shkruhet. Fati im i madh dhe gjithashtu i stafit tim është që dëgjojmë dhe lexojmë pak. Ndonjëherë ne si trajnerë duhet të bëjmë zgjedhje, bëjmë çdo ditë. Ndonjëherë jeni me fat dhe ndonjëherë jo. Është puna jonë dhe këtë e kërkon”.
“Ne e dimë se jemi 90 minuta larg realizimit të ëndrrës sonë. Falë tyre jemi në finalen e Kupës së Italisë. Ne punuam shumë mirë gjatë pushimit, edhe nëse kishim disa lojtarë jashtë për Kupën e Botës: ne punuam shumë fort në atë fazë”, shtoi 47-vjeçari.
“Ne e dimë se me kë do të përballemi, por e dimë gjithashtu se jemi në një formë të shkëlqyer. Jemi gati për një ndeshje të kësaj përmasash, e kemi kaluar tashmë me një skuadër shumë të fortë si Benfica”, deklaroi Inzaghi.
Ndryshe, ndeshja e dytë mes Interit dhe Milanit do të zhvillohet të martën mbrëma, nga ora 21:00.