Trajneri i Kosovë: “Më mungon Prishtina, shpresoj të vij së shpejti”

22:18 | 07 June 2020

Challandes: “Më mungon Prishtina, shpresoj të vij së shpejti”.

Pandemia COVID-19, e cila ka izoluar të gjithë botën për muaj me radhë, e ka gjetur trajnerin e Përfaqësueses së Kosovës, Bernard Challandes, në shtëpinë e tij në Zvicër.

Trajneri zviceran, i cili ka synim ta dërgojë Kosovën në “Euro 2020”, ka qenë i izoluar në shtëpinë e tij në Zvicër në muajt e fundit, por që kjo periudhë nuk e ka bërë atë “dembel” pasi që ka pasur me çfarë të merret.

Challandes ka thënë se jeton afër pyjeve, dhe se ka pasur mundësi të dilte për shëtitje, derisa thotë se ka qenë i disiplinuar në këtë periudhë.

Gjithashtu, trajneri zviceran ka folur për interesimin e klubeve evropiane për futbollistët e Kosovës.

“Sigurisht se i përcjelli tregjet dhe kërkesat për transferimet. Kam dëgjuar për Rashicën, Muriqin, të cilët mund të ndryshojnë skuadër, por si trajner, nuk i them se ‘shko atje, apo qëndro këtu”, u shpreh Challandes në RTK.

“Me rëndësi është që futbollistët të luajnë, dhe jo të mbeten në bankën rezervë, kjo ka rëndësi tek unë”, tregoi ai.

Tutje, ai foli edhe në lidhje me atë se çfarë i mungon në Prishtinë.

“Në Kosovë, më mungojnë njerëzit dhe atmosfera. Më mungon koha në restorantet e Prishtinës ku takohem me drejtuesit e FFK-së. Shpresoj që të kthehem në javën vijuese në Prishtinë”, theksoi Bernard Challandes.

Komento: