Trajneri i Lillet pret edhe më shumë nga Edon Zhegrova

10:39 | 07 Shkurt 2024

Edon Zhegrova është bërë një sensacion në futbollin francez.

Ylli kosovar po shkëlqen në fanellën e Lillet, ndërsa ishte protagonist edhe në fundjavën që shkoi duke e realizuar një gol fantastik dhe duke e bërë një asistim në fitoren bindëse, 4:0 ndaj Clermont Foot.

24 vjeçari me këtë rast arriti në kuotën e 8 golave dhe të 8 asistimeve në këtë sezon në të gjitha garat, statistika impresionuese këto.

Sidoqoftë, trajneri i Lillet, Paulo Fonseca nuk është ngopur me kaq.

Ai kërkon dhe pret edhe më shumë nga përfaqësuesi kosovar pasi beson se ky i fundit ka kapacitet të bëjë edhe më mirë.

“Ai është pjekur, është rritur e zhvilluar, kjo është e vërtetë. Tash dua të shoh vazhdimësi tek ai. Është e vërtetë se paraqitjet e tij janë më të qëndrueshme, por unë dua ende të shoh më shumë. Ai mund të bëjë edhe më shumë se kaq. Mund të jetë edhe më konstant dhe të japë edhe më shumë kontribut”, u shpreh trajneri i Lillet.

Fonseca po ashtu e ka përsëritur faktin se Zhegrova tash po ndihmon edhe në fazën defanzive, gjë e cila ishte një pikë e dobët e tij kur kishte arritur nga Baseli.

“Që nga sezoni i kaluar, ai ka nisur të ndryshojë, duke nisur nga loja për ekipin, duke filluar nga mbrojtja. Kjo po shkon në vazhdimësi”, përfundoi Fonseca.

Zhegrova është sot futbollisti më në formë i Kombëtares së Kosovës.

Nëse vazhdon me formë të tillë, “Messi i Kosovës” mund të transferohet në një klub më të madh evropian gjatë verës që po vjen.

Komento: