Klopp tallet me legjendën e Manchester Unitedit.
Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, thotë e vetmja gjë që ai e ka mësuar gjatë karantinës së detyruar shkaku i koronavirusit është se legjenda e Manchester Unitedit, Gary Neville, ka mendim për çdo temë të mundshme.
Strategu gjerman është dashur të presë që nga marsi për rinisjen e aktiviteteve sportive, përderisa Liverpoolit i duhen ende vetëm edhe dy fitore për ta fituar titullin e Premierligës – që do të bënte që Liverpooli të shpallej për herë të parë kampion i Anglisë pas 30 vjetësh, transmeton Gazeta Express.
Klopp ka qenë duke e kaluar kohën e tij në karantinë duke shikuar ndeshje të vjetra të futbollit, përderisa ka bërë të ditur se edhe po i ndjek lajmet e fundit nga bota e futbollit.
Ish-mbrojtësi anësor i Manchester Unitedit, Gary Neville, punon si analist në Sky Sports dhe Kloppit duket se i kanë rënë në sy më së shumti mendimet e tij.
“Nuk kam mësuar shumë gjatë karantinës përveç që Gary Neville ka mendim për absolutisht gjithçka! Është e mrekullueshme! Kështu që jo, nuk kam mësuar shumë gjëra, por unë e kam njohur veten që 52 vjet”.
“Unë e dija edhe më parë se mund t’i përballoj situatat e vështira dhe kjo është një situatë e vështirë jo vetëm për mua dhe për familjen time, por për të gjithë planetin. Unë jam mjaft krenar me mënyrën se si po përballemi me këtë krizë si shoqëri”.